Qeveria për shkak të pushimit vjetor s’kishte marrë pjesë në seancën që Supremja e kishte caktuar lidhur me UA për arkat fiskale

Në vendimin e Gjykatës Supreme të Republikës se Kosovës me të cilin u shfuqizua Udhëzimi Administrativ për Shfrytëzimin e Pajisjeve Elektronike Fiskale, Sistemeve Fiskale dhe Softuerëve Elektronikë Fiskalë, del se përfaqësuesja e Ministrisë së Financave nuk kishte marrë pjesë në seancën e kësaj gjykate, për shkak të pushimit vjetor.

Sipas vendimit, kjo seancë ishte mbajtur më 25 qershor 2025, për të shqyrtuar ligjshmërinë e UA, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Mospjesëmarrjen në seancë, e kishin arsyetuar edhe me pamundësinë që të caktohet avokat tjetër për shkak të ngarkesës më lëndë.

“Avokatura Shtetërore e Kosovës njofton Gjykatën Supreme se përfaqësuesja e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve nuk do të mund të marrë pjesë në seancë për shkak të pushimit vjetor dhe pamundësisë për të caktuar një avokat tjetër për atë datë, për shkak të ngarkesës me lëndë”, thuhet në vendimin e Supremes.

Përmes vendimit të përpiluar më 7 korrik 2025, shkalla e tretë ka konstatuar se është i bazuar pretendimi se Udhëzimi Administrativ është në kundërshtim me dispozitat ligjore dhe kushtetuese.

Sipas Supremes, me rastin e zgjedhjes së anëtarëve të Qeverisë si deputetë, ministrit në detyrë- në këtë rast atij të Financave, Hekuran Murati, i përfundon mandati dhe ishte ministër në dorëheqje në momentin e nënshkrimit të UA.

Gjykata Supreme thekson se Qeveria në dorëheqje është e autorizuar të kryejë vetëm aktivitete të domosdoshme dhe të planifikuara me planin vjetor të punës së Qeverisë, duke përjashtuar miratimin e akteve nënligjore të reja.

Për Supremen, i pakontestueshëm është fakti se Hekuran Murati nga certifikimi i zgjedhjeve figuron si deputet. Dhe se, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe ministrit në të njëjtën kohë, është i ndaluar. Rrjedhimisht, edhe nxjerrja e UA është e kundërligjshme.“Për gjykatën ishte i pakontestueshëm fakti se nga certifikimi zyrtar i rezultateve të zgjedhjeve, më datë 27.03.2025, ministri i MFPT Hekuran Murati figuron si deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës. Sipas nenit 71 të Kushtetutës, ushtrimi i funksioneve të deputetit dhe të ministrit në të njëjtën kohë është i ndaluar. Për pasojë, nxjerrja e Udhëzimit Administrativ nga një person që ushtron njëkohësisht detyrën e deputetit dhe të ministrit është e kundërligjshme dhe shkel dispozitat kushtetuese”, thuhet në vendim.

Kujtojmë se Qeveria e Kosovës ka dalë kundër vendimit të Supremes, ku ishte vendosur që  Udhëzimi Administrativ për arkat digjitale të anulohet, ndërsa në anën tjetër rezulton se nuk kanë marrë pjesë në seancë për të elaboruar argumentet e tyre të paraqitura në përgjigjen në padi.

Për këtë vendim, kritika ndaj Supremes kishte edhe vetë ministri në detyrë- Murati, i cili tha se Udhëzimi i ri Administrativ hapte rrugën për arkat fiskale digjitale, por që Gjykata Supreme e shfuqizoi.

“Ky vendim absurd i Gjykatës Supreme nënkupton ndërprerje të procesit të digjitalizimit, dhe vazhdim të zhvatjes së bizneseve përmes kostove enorme për arkat e vjetra fiskale”, shkroi Murati.

Ndryshe, paditësit me padi/kërkesë për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit kanë pretenduar se Udhëzimi Administrativ (MFPT) nr. 01/2025 është nxjerrë në kundërshtim me ligjin, pasi nuk është miratuar nga Qeveria siç parashihet me Ligjin për Qeverinë dhe Rregulloren për punën e saj; është nxjerrë nga një ministër që nuk ka pasur mandat aktiv në kohën e nxjerrjes së aktit, për shkak se Qeveria ishte në dorëheqje dhe ai ishte certifikuar si deputet; dhe për më tepër, akti nuk është i nënshkruar nga ministri përkatës, duke e bërë publikimin e tij në Gazetën Zyrtare të pavlefshëm dhe pa efekt juridik

“Sipas paditësve, investimet e realizuara me kërkesë të Ministrisë për implementimin e fiskalizimit me arka fiskale, përfshirë blerjen e mbi 4000 arkave dhe kontratat me klientë, janë vënë në rrezik të humbjes, për shkak të ndryshimit të papritur të sistemit të fiskalizimit dhe kërkesave për kompensim nga konsumatorët. Paditësit gjithashtu pretendojnë se Udhëzimi Administrativ është nxjerrë në kundërshtim me parimet e Ligjit për Procedurën e Përgjithshme Administrative, duke përfshirë parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit, pasi trajton në mënyrë të pabarabartë tatimpaguesit ekzistues dhe ata të rinj; parimin e pritshmërisë së ligjshme, duke ndryshuar papritmas politikat pa njoftim paraprak; dhe parimin e transparencës, duke mos informuar operatorët ekonomikë për ndryshimet e planifikuara”, thuhet në vendim.

Meqenëse zbatimi i këtij akti do t’i shkaktonte paditësit dëm të madh dhe të pakthyeshëm, kishte kërkuar nga Gjykata të vendos një masë të përkohshme sigurie për të pezulluar zbatimin e UA derisa të merret një vendim përfundimtar mbi ligjshmërinë e tij, duke theksuar se një pezullim i tillë nuk cenon interesin publik dhe siguron mbrojtje të të drejtave të palëve të përfshira.

Kurse, përfaqësuesja e autorizuar e të paditurës me përgjigje në padi, dhe me parashtresën e deklarimit për seancë, thuhet se ka kërkuar nga Gjykata Supreme, që të refuzojë kërkesën e paditëses për caktimin e masës së posaçme/përkohshme të sigurimit dhe kërkesëpadinë e paditëses për ndalimin e prodhimit të efekteve juridike, shpalljes së paligjshmërisë dhe shfuqizimit të aktit nënligjor normativ, duke e vlerësuar kërkesëpadinë si të pabazuar dhe të pambështetur në prova ligjore.

“Ministria sqaron se udhëzimi është nxjerrë në përputhje të plotë me ligjin dhe kompetencat e ministrit, i cili ka miratuar aktin përmes Vendimit nr.15/2025. U theksua se kufizimet ndaj një qeverie në dorëheqje nuk e përjashtojnë miratimin e akteve nënligjore, ndërsa mandati i ministrit si deputet ka filluar vetëm pas betimit më 19 prill 2025, pra pas nënshkrimit të udhëzimit”, thuhet në vendim.