Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka përshëndetur anëtarësimin e Kosovës në Aleancën Evropiane për Praktikën Profesionale – Arsimin Dual, duke e cilësuar si një hap të rëndësishëm drejt fuqizimit të arsimit profesional, përcjell KosovaPost.
Kurti e ka quajtur Horizont i ri për arsimin dual dhe vërtetim i përkushtimit tonë për të lidhur arsimin profesional me tregun e punës.
Kurti ka shpërndarë postimin e ministres Nagavci e cila ka bërë të ditur se Kosova është pranuar si vendi i 43-të anëtar në EAfA, një platformë prestigjioze evropiane që promovon praktika profesionale cilësore, bashkëpunim ndërkombëtar dhe përfshirje të sektorit privat në sistemin arsimor.
Sipas saj, kjo është një arritje e jashtëzakonshme për Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), që dëshmon përkushtimin për të ndërtuar një arsim profesional të lidhur ngushtë me nevojat e tregut të punës.
Ministrja ka shtuar se përmes këtij anëtarësimi:
Do të rritet bashkëpunimi me shtete të tjera evropiane;
Do të promovohet mobiliteti i praktikantëve;
Do të ndërtohen partneritete strategjike me kompani, dhoma tregtie dhe institucione arsimore;
Do të përfshihet më shumë sektori privat dhe do të themelohen Këshillat Sektorialë të Shkathtësive.
EAfA është një platformë gjithëpërfshirëse që nxit zhvillimin e praktikave profesionale efektive, mbështet ndërmarrjet e vogla e të mesme dhe inkurajon pjesëmarrjen aktive të praktikantëve në vendimmarrje.
Me këtë hap, Kosova synon një sistem arsimor më cilësor, më të hapur dhe të përputhur me standardet evropiane – një vizion që, sipas Kryeministrit Kurti dhe Ministres Nagavci, po shndërrohet gradualisht në realitet.



Të tjera
12 ushqime për një qumësht më të mirë për bebet tuaja
Dieta me bukë dhe makarona
Sindroma e Guillain-Barré-it, simptomat, diagnoza, shërimi