Starmer: Plani i ri izraelit do të sjellë më shumë gjakderdhje

Plani i ri izraelit do të sjellë më shumë gjakderdhje

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të kabinetit të sigurisë në Izrael për të përshkallëzuar më tej ofensivën në Rripin e Gazës, duke e cilësuar atë si një vendim “të gabuar”.

 

Në një deklaratë të transmetuar nga BBC, Starmer i ka bërë thirrje qeverisë izraelite që ta rishqyrtojë menjëherë këtë veprim.

“Këto veprime nuk do të sjellin përfundimin e konfliktit dhe nuk do të ndihmojnë në lirimin e pengjeve. Do të sjellin vetëm më shumë gjakderdhje”, ka deklaruar ai.

Sipas Starmer, kriza humanitare në Gazë po përkeqësohet çdo ditë, ndërsa pengjet e kapura nga Hamasi vazhdojnë të mbahen në kushte të tmerrshme dhe çnjerëzore. Ai ka theksuar se rruga drejt paqes nuk mund të ndërtohet përmes forcës ushtarake, por përmes dialogut dhe marrëveshjes politike.

“Ajo që nevojitet është një marrëveshje për armëpushim, rritje e ndihmës humanitare, lirimi i të gjitha pengjeve nga Hamasi dhe një zgjidhje e negociuar,” ka shtuar kreu i qeverisë britanike.

Starmer ka nënvizuar gjithashtu se Britania e Madhe, në koordinim me aleatët ndërkombëtarë, po punon për një plan afatgjatë për paqe në rajon, i cili do të bazohet në zgjidhjen me dy shtete dhe do të synojë ndërtimin e një të ardhmeje më të ndritur për palestinezët dhe izraelitët.