Izraeli drejt kontrollit ushtarak të Gazës

Izraeli drejt kontrollit ushtarak të Gazës

Pas një takimi disa orësh të kabinetit të sigurisë në Jerusalem, zyra e kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka konfirmuar zyrtarisht miratimin e planit për marrjen e kontrollit të Qytetit të Gazës, si pjesë e një strategjie për “mposhtjen e Hamasit”.

Në një deklaratë të publikuar nga zyra e tij, thuhet se Ushtria izraelite (IDF) do të përgatitet për të marrë kontrollin e plotë të qytetit, ndërkohë që do të ofrohet ndihmë humanitare për civilët jashtë zonave të luftimit.

Plani është ndërtuar mbi “pesë parime për përfundimin e luftës”, të miratuara me shumicë votash nga kabineti i sigurisë.

Pesë parimet e planit të miratuar:

Çarmatimi i Hamasit

Kthimi i të gjithë pengjeve – të gjallë dhe të vdekur

Çmilitarizimi i Rripit të Gazës

Kontrolli i sigurisë izraelite mbi të gjithë Rripin e Gazës

Krijimi i një administrate civile alternative që nuk është as Hamasi dhe as Autoriteti Palestinez

Gjatë një interviste për Fox News përpara takimit të kabinetit, Netanyahu u shpreh qartë.

“Ne synojmë të marrim kontrollin e plotë ushtarak të Gazës. Qëllimi ynë është të largojmë Hamasin dhe t’ia dorëzojmë qeverisjen një entiteti civil që nuk mbështet shkatërrimin e Izraelit”, tha ai.

Reagimet e opozitës: “Një katastrofë që sjell katastrofa të tjera”

Ky vendim ka nxitur kritika të ashpra nga opozita izraelite, veçanërisht nga udhëheqësi i Yesh Atid, Yair Lapid, i cili shkroi në rrjetin X.

“Vendimi është një katastrofë që do të çojë në shumë katastrofa të tjera. Është në kundërshtim të plotë me qëndrimin e ushtrisë dhe sistemit të sigurisë, dhe nuk merr parasysh lodhjen e trupave në terren”, ka shkruar ai.

Lapid shtoi se kryeministri Netanyahu është ndikuar nga presioni i ministrave ekstremistë të krahut të djathtë, si Itamar Ben Gvir dhe Bezalel Smotrich, duke rrezikuar jetët e ushtarëve dhe pengjeve, dhe duke i shkaktuar Izraelit një krizë ekonomike dhe diplomatike.

Kritikave iu bashkua edhe Yair Golan, udhëheqës i partisë së majtë Demokratike të Izraelit dhe ish-gjeneral i IDF-së, i cili e cilësoi vendimin si një ‘dënim me vdekje për pengjet dhe një goditje e rëndë për familjet e tyre të pikëlluara’.

Sipas burimeve izraelite të cituara nga CNN, edhe shefi i ushtrisë izraelite, gjenerali Eyal Zamir, ka paralajmëruar kundër pushtimit të plotë të Gazës, duke ngritur shqetësime për mungesën e një strategjie të qartë afatgjatë, rrezikun për trupat izraelite dhe pasojat humanitare.