“Precedent i rrezikshëm që vret demokracinë” – Gashi akuzon Kushtetuesen për favore ndaj…/ Ja ‘zgjidhja’ e pastër

Deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet të zgjedhin kreun e ri të organit ligjvënës përmes votimit të hapur, ka thënë Gjykata Kushtetutese e Kosovës.

Në aktgjykimin e shpallur më 8 gusht, Kushtetuesja shprehet se kryesuesi i seancës, Avni Dehari, nuk ka vepruar në bazë të aktgjykimit të mëhershëm të kësaj gjykate të 26 qershorit, duke shtuar se të gjitha seancat e mbajtura nga 27 qershori deri më 6 korrik “të shpallen të pavlefshme”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka urdhëruar kryesuesin e seancës konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit “nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës”.

Gashi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, thotë se vendimi është një precedent i rrezikshëm dhe vret demokracinë ngadalë, por me buzëqeshje “ligjore”.

“Ky vendim nuk është zhbllokim, por një “operacion kozmetik” juridik për të fshehur një goditje politike. Në realitet, Gjykata Kushtetuese nuk veproi si gardiane e Kushtetutës, por si stenografe e urdhrave të PDK-së. Ajo nuk e lexoi Kushtetutën si akt suprem të popullit, por si një manual për të shpëtuar partinë që i ka rrënjët thellë në korrupsion, krim dhe kapje të shtetit. Është për të ardhur keq që institucioni që duhet të jetë tempulli i drejtësisë, është kthyer në një aneks zyrash të klaneve politike, ku vendimet shkruhen jo sipas neneve, por sipas interesave të atyre që e kanë frikë qeverinë e dalë nga vota e lirë. Ky vendim është një precedent i rrezikshëm: e vret demokracinë ngadalë, por me buzëqeshje “ligjore””, deklaron Gashi.

Image

Opinionisti Lirim Gashi

Partitë politike që në mandatin e kaluar ishin në opozitë e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërsa Lëvizja Vetëvendosje, si parti fituese e zgjedhjeve e ka kritikuar atë, duke thënë se “kjo nuk është drejtësi”, por “arbitraritet klientelist”.

Opinionisti Lirim Gashi thotë se ky është sabotim institucional, duke shtuar se nuk është çështja te një karrige në sallën e Kuvendit, por beteja për të mbrojtur themelin e rendit demokratik nga riciklimi i një elite që nuk di të humbasë me dinjitet.

“Kjo është pikërisht loja: të mos ofrohet zgjidhje, por të prodhohet krizë e qëllimshme. Gjykata luajti rolin e një arbitri që mban lojën pezull për t’i dhënë kohë palës që humb në terren, që të rigrupohet në prapaskenë. Ky është sabotim institucional, jo moskompetencë. Saga e kryeparlamentarit nuk është çështje e një karrigeje në sallën e Kuvendit – është beteja për të mbrojtur themelin e rendit demokratik nga riciklimi i një elite që nuk di të humbasë me dinjitet. Nëse lejojmë që ky proces të manipulohet, nesër nuk do të kemi vetëm një kryeparlamentar të delegjitimuar, por një Kuvend të tërë të kapur”, thekson Gashi.

Sipas opinionistit, nuk qëndron dështimi te Albulena Haxhiu, por te sistemi.

“Cilat emra të tjerë do të propozonte VV pas “dështimeve” me Albulena Haxhiun? Lirim Gashi: Këtu duhet të jemi të qartë: nuk ka pasur dështim të Albulenës, ka pasur dështim të sistemit që nuk e duron një kryeparlamentare që nuk i shërben mafies politike. PDK dhe aleatët e saj nuk kanë frikë nga emri, kanë frikë nga karakteri. Vetëvendosje ka plot figura të tilla që nuk pranojnë të bëhen fasadë për pazaret e nëntokës politike. Problemi nuk është se kush do të propozohet, por a do të lejojë sistemi i kapur që dikush i ndershëm ta drejtojë Kuvendin? Për momentin, ky sistem është ndërtuar që t’i mbyllë dyert e të ndershmëve dhe t’i çelë portat për pengjet politike”, shprehet opinionisti.

I pyetur nëse zgjidhja qëndron te një koalicion me Nismën apo te zgjedhjet e reja, Gashi, thotë se koalicioni me Nismën do të kishte kuptim vetëm nëse ndodh mbi baza të qarta programore, e jo për shpërndarje karrigesh, sepse në të kundërtën zgjedhjet janë zgjidhje më e pastër.