Shkruan: Besa Nuredini
Në analizën time të botuar më 20 qershor 2025 në Kosova Post me titull “A po e flijon Rusia Serbinë?”, theksova se Rusia po e përdor çështjen e Kosovës si precedent për të justifikuar aneksimet në Ukrainë dhe se Beogradi nuk ka më kontroll mbi mënyrën se si Kremlini e përdor Kosovën në lojën e tij ndërkombëtare.
Paralajmërova se Moska, nëse i shërben interesave të saj strategjike, mund ta flijojë Serbinë për të fituar legjitimitet mbi Donbasin dhe Krimenë.
Pas samitit të Alaskës ndërmjet Donald Trump dhe Vladimir Putin më 15 gusht 2025, ky skenar mori një dimension të ri. Takimi u përmbyll pa një marrëveshje konkrete, por Reuters e cilësoi vetë faktin e uljes me presidentin e SHBA-së si një fitore për Putinin.
Pamjet e protokollit me tepih të kuq e legjitimuan Kremlinin si fuqi globale, ndërsa The Economist e përshkroi këtë si një “dhuratë simbolike” për Moskën.
Menjëherë pas këtij samiti, në një intervistë të drejtpërdrejtë për Sean Hannity në Fox News, Trump e përmendi sërish Kosovën duke e renditur si një nga “pesë luftërat” që ai pretendon se ka ndalur. Ky artikulim publik nuk ishte thjeshtë një deklaratë e rastësishme, por dëshmon se për Trumpin, Kosova është një kartë politike e përdorshme për të ndërtuar imazhin e tij si “negociator i paqes” .
Në këtë kuptim, Kosova shfaqet si simbol i suksesit diplomatik për Trumpin dhe një precedent i dobishëm për Putinin.
Nëse këta dy liderë e shohin Kosovën si instrument të interesave të tyre, atëherë Serbia rrezikon jo vetëm humbjen e mbështetjes ruse, por edhe ekspozimin ndaj disfata të tjera të brendshme.
Putin, për të justifikuar përfundimisht aneksimet në Ukrainë, mund ta përdorë Kosovën si shembull legjitimimi, duke e flijuar Serbinë.
Ndërkohë, në një logjikë transaksionale të përbashkët Trump–Putin, Serbia mund të përballet me presione të reja mbi Vojvodinën dhe Sanxhakun, duke humbur edhe ato pak thërime që kanë mbetur nga ish-Jugosllavia.
Në horizontin e brendshëm, protestat e vazhdueshme në Serbi dhe mundësia reale e dorëheqjes së Vuçiqit tregojnë një moment të brishtësisë së madhe politike.
Nëse Beogradi futet në krizë të brendshme, atëherë për herë të parë pas tri dekadash, fati mund të kalojë në anën e shqiptarëve.
Në këtë katrahurë gjeopolitike, shqiptarët shfaqen jo vetëm si objekt i lojërave të fuqive të mëdha, por potencialisht edhe si fitues të një rendi të ri botëror që po formohet.
Të tjera
Kosova qëndron fuqishëm përkrah jush
Shefi i OBSH-së kërkon mbrojtje për shëndetin dhe punonjësit e ndihmës në Gaza pas lirimit të një punonjësi nga Iz*raeli
Baraliu kërkon trajtim serioz të fakteve për Listën Serbe