Prokuroria Themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj dy personave për keqpërdorim të detyrës zyrtare, lidhur me rrënimin e monumenteve të kompleksit “Saraji i Vjetër” në qytetin e Prizrenit, transmeton KosovaPost.
Aktakuza është ngritur ndaj drejtorit të Urbanizimit të Komunës së Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale në Drejtorinë e Urbanizimit të Prizrenit, Egzona Thaçi.
Sipas aktakuzës ata kanë keqpërdorur detyrën zyrtare duke lëshuar leje për ndërtimin e kompleksit banesor në objektin e trashëgimisë kulturore “Saraji i Vjetër”, duke lejuar rrënimin e kompleksit që ishte në kuadër të mbrojtjes së përhershme si monument kulturor.
Sipër përllogaritjeve të Prokurorisë, dëmi i cili u shkaktua në trashëgiminë kulturore kap shifrën e afër 16 milionë eurove.
“I pandehuri P.B., në cilësinë e drejtorit të DUPH edhe pse ka pas njohuri se kompleksi ‘Saraji i vjetër’ në Prizren është në kuadër të mbrojtjes së përhershme të monumenteve kulturore, nuk e parandalon rrënimin e tij, ndërsa e pandehura E.Th., më datë 05.01.2024 pas kërkesës së investitorit A.Xh., fillimisht lëshon kushtet ndërtimore, dhe vazhdon më datë 15.01.2024 ku e lëshon vendimin për rrënimin e objekteve ekzistuese, dhe më datë 04.04.2024 lëshon lejen e ndërtimit investitorit A.Xh., për të ndërtuar kompleks banesor në objektin e trashëgimisë kulturore ‘Saraji i vjetër’ në Prizren”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e Prokurorisë.
Prokuroria ka thënë se këto vendime të marrë nga zyrtarët komunal janë në kundërshtim me Ligjin për ndërtim dhe Ligjin e trashëgimisë kulturore si dhe listën e aseteve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përhershme.
Monumentet në kompleksin “Saraji i Vjetër” në Prizren u rrënuan vitin e kaluar. Tre muajve pas rrënimit të shumicës së monumenteve Ministria e Kulturës përgatiti dosjen e nevojshme për të kërkuar përgjegjësi penale.
Në Prokurorinë Themelore të Prizrenit, u dorëzua kallëzim penal ndaj kryetarit të Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, drejtorit të Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizrenit, Pranverim Berisha dhe bashkëpunëtores profesionale të po kësaj komune e drejtoreshës së Departamentit Ligjor të Ministrisë së Mjedisit Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.
Kompleksi “Saraji i Vjetër” njihet si aset me vlera historike ku ruhen gjurmë të objekteve nga shekulli 19 dhe 20, duke filluar nga ndërtesat e periudhës Osmane, për të vazhduar me ndërtesa të periudhës moderne.
Ky kompleks kishte hyrë në listën e mbrojtjes së përhershme si monument dy muaj para se të rrënohej ndërsa cilësohet si një nga hapësirat me vlera historike dhe estetike. Ai u rrënua më datë 27 maj 2024 nga një pronar privat me qëllim të ndërtimit të një kompleksi banesor, ndërsa kjo u bë e mundur nga Komuna e Prizrenit të cilët dhanë leje të rrënimit të këtij kompleksi.



Të tjera
13 viktima nga acari në Evropë, Anglia dhe Franca kaos me udhëtimet, mbyllen edhe shkollat
“Sinjalet” që mëlçia dërgon për ndihmë
Granit Xhaka feston fitoren ndaj Evertonit si asnjëherë më parë