Bashkimi Demokratik për Integrim ka reaguar ndaj kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickosi. Kjo parti i ka quajtur shpifje deklaratat e Mickosit.
“Në vend që të japë llogari për rezultatet e dobëta të qeverisë në çdo fushë, nga ekonomia e deri te izolimi ndërkombëtar, ai merret me sulme boshe ndaj BDI-së”, thuhet në reagimin e kësaj partie.
BDI tutje ka thënë se Mickoski në vend që të shpikë armiq imagjinarë duhet të shpjegojë: pse qeveria e tij po shkel Kushtetutën dhe ligjin, pse po diskriminon shqiptarët, pse e përjashtoi diasporën nga përllogaritja zyrtare në kundërshtim me normat kushtetuese dhe ligjore, pse po e instrumentalizon KSHZ-në, Gjykatën Kushtetuese dhe institucionet e tjera për plane partiake e monoetnike dhe pse me çdo vendim e kthen vendin mbrapa në kohën e para vitit 2001.
“BDI nuk mund të qëndrojë indiferente kur shkelet Marrëveshja e Ohrit, dokument jetik për stabilitetin e vendit dhe të ardhmen e tij progresive. Tentativa e Mickoskit për të krijuar ‘principata’ politike brenda shqiptarëve, duke i copëzuar me parti të vogla të kontrolluara, është një projekt i dështuar që synon dobësimin e përfaqësimit politik shqiptar. Kjo nuk i kontribuon kohezionit të shoqërisë dhe stabilitetit politik. Mickoski, duke u paraqitur si patriot në mbrojtje të kauzës maqedonase, po e dëmton vetë kombin e tij. Goditja e Marrëveshjes së Ohrit nuk e përparon shtetin, por ia zbeh dhe minon perspektivën evropiane”, thuhet tutje në reagimin e BDI-së.
Më tej partia e drejtuar nga Ali Ahmeti ka thënë se nuk janë të interesuar nëse janë apo s’janë në qeveri, por duan që ta çojnë vendin përpara dhe ta nxjerrin nga qorrsokaku.
“Me politika të vjetra nuk ecin proceset, me përplasje nuk ndërtohet e ardhmja. Kjo qeveri nuk është qeveri e qytetarëve, por e botës serbe, me orientim të qartë kah boshti Beograd–Moskë. Çdo vendim i saj e rrezikon kursin euroatlantik që shqiptarët dhe maqedonasit e kanë zgjedhur me shumicë absolute”, thuhet në reagim.
Sa i përket akuzave të Mickoskit ndaj BDI-së për krim dhe korrupsion, BDI ka thënë se kanë përgjigje të thjeshtë. “Urdhëroni dhe pranoni propozimin e BDI-së për veting të plotë. Mos mbroni oligarkët dhe mos bllokoni pastrimin e politikës nga krimi. Mos mbroni politikanët e korruptuar, kushdoqofshin ata. Le të ketë hetim për prejardhjen e pasurisë së çdo politikani dhe të çdo partie politike. Le të ketë hetim për procesin e privatizimit. Le të ketë hetim për veprimtarinë e organeve të sigurisë së shtetit dhe për funksionarët në sigurim të shtetit që kanë punuar nga viti 1945 e këtej, si OZNA, UDB-ja, SDB-ja, DBK-ja, UBK-ja, ANB-ja. Ky është propozimi i BDI-së, pranojeni”, vazhdon reagimi i BDI-së.
Në fund ky subjekt politik ka thënë se është dhe do të mbetet garancia e stabilitetit, e përfaqësimit të dinjitetshëm dhe e së ardhmes evropiane të vendit.
“Mickoski le ta dijë: shpifjet nuk mbulojnë dështimet, e as orientimin e gabuar të kësaj qeverie. Përgjigjja e qytetarëve do të vijë në tetor dhe ajo do të jetë e qartë”, përfundon reagimi i BDI-së.
Kryeministri Hristijan Mickoski akuzoi BDI-në dhe LSDM-në se po përgatisin skenarë të fshehtë për t’i minuar zgjedhjet lokale. Sipas tij, dy ish partnerët e pushtetit të kaluar planin përpiqen ta realizojnë përmes, siç thotë, “deep state” apo shtetit të nëntokës, me njerëzit e tyre të besueshëm në gjyqësor, komisionin zgjedhor dhe institucionet e tjera.
Të tjera
Dy urat e reja mbi Lumin “Ibër” drejt përfundimit
Mos tejkalo në vijë të plotë, policia në Mitrovicë me fushatë vetëdijesuese
Deklarata e tij zemëroi Parisin, Franca ka thirrur ambasadorin amerikan për sqarime