Shkruan: Fadil Pushkolli
Vendimi i Ramush Haradinajt për ta larguar Adem Hoxhën nga grupi parlamentar i AAK-së ka prodhuar një efekt që shkon përtej një çështjeje të brendshme partiake. Në praktikë, ky veprim i ka krijuar Listës Serbe kushtet e duhura për të vepruar në skenën kushtetuese të vendit.
Deri para këtij vendimi, Lista Serbe kishte vetëm 9 deputetë dhe, rrjedhimisht, nuk kishte mundësi t’i drejtohej Gjykatës Kushtetuese, pasi duhen minimumi 10 nënshkrime për një veprim të tillë. Me largimin e Hoxhës, i cili automatikisht nuk i përkiste më grupit të AAK-së, u arrit numri i mjaftueshëm. Praktikisht, AAK-ja ia dha Listës Serbe instrumentin juridik për të sfiduar institucionet e Kosovës.
Kjo lëvizje i ekspozon Haradinajn dhe partinë e tij ndaj një kritike të fortë politike: retorika e AAK-së është e ndërtuar mbi qëndrime të ashpra kundër ndikimit të Serbisë, por realiteti i veprimit të fundit shkon krejtësisht në të kundërt. Pa dashur ose me dashje, Haradinaj e ka bërë një “shërbim të madh” për Listën Serbe, e cila mbështetet drejtpërdrejt nga Beogradi dhe strukturat e tij të kontrolluara, të cilat në Kosovë veprojnë si grupe të organizuara kriminale, e madje edhe janë shpallur si organizata terroriste.
Ky është një autogol politik i qëllimshëm me pasoja serioze. Ai nuk mund të fshihet pas arsyetimit formal, sepse rezultati është i qartë: një akt i Haradinajt ka fuqizuar pikërisht forcat që deklarativisht ai thotë se i kundërshton.
Në politikë nuk ka vend për lëvizje naive. Çdo vendim prodhon pasoja. Dhe kjo lëvizje e Haradinajt do të mbetet shembull i asaj se si, me një vendim të vetëm, mund të ndryshohet balanca e forcave në favor të atyre që synojnë ta dobësojnë shtetin.



Të tjera
Ndihmojini të rinjtë t’i bëjnë ballë bulizmit
Superliga sot me dy ndeshje goxha interesante
Julian Alvarez drejt largimit nga Atletico, Barcelona gati ta transferojë