Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka publikuar rezultatet e testit kualifikues për rekrutimin dhe emërimin e 21 prokurorëve të rinj në prokuroritë themelore të Republikës së Kosovës.
Komisioni për Rekrutim i Këshillit Prokurorial të Kosovës, në pajtim me nenin 21 të Rregullores nr.02\2022 për rekrutimin, provimin, emërimin dhe riemërimin e prokurorëve, ka njoftuar kandidatët për prokurorë të shtetit për rezultatet e testit kualifikues, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Sipas rezultateve, 138 kandidatë e kanë kaluar testin kualifikues, ndërsa në listën e kandidatëve që nuk e kanë kaluar testin kualifikues janë 190 kandidatë, prej tyre 8 figurojnë si të diskualifikuar dhe një ka abstenuar.
Lidhur me këto rezultate, kandidatët kanë të drejtë të parashtrojnë ankesë tek Komisioni për Rishqyrtim brenda afatit prej tri ditësh nga dita e shpalljes së rezultateve.
Ndryshe, testi kualifikues u mbajt më 30 gusht 2025, në Akademinë e Kosovës për Siguri Publike, në Vushtrri.
Në testin kualifikues, si fazë e përcaktuar në kuadër të procedurave të rekrutimit morën pjesë 330 kandidatë, ndonëse të drejtën për t’iu nënshtruar këtij testi e kishin fituar 402 kandidatë, 211 prej tyre burra dhe 191 gra.
Procesi për rekrutimin e prokurorëve zhvillohet bazuar në rregulloren nr. 02/2022 për Rekrutimin, Provimin, Emërimin dhe Riemërimin e Prokurorëve të Shtetit.
Procesi është vëzhguar dhe nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit (EULEX) dhe Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD).
Procesi i rekrutimit do të vazhdojë me fazat e tjera si testin me shkrim dhe intervistimin e kandidatëve, proces të cilin IKD do ta monitorojë deri në fund. Ndërsa, KPK në komunikatën për media ka thënë se edhe fazat tjera do i zhvillojë në përputhje me standardet më të avancuara të meritokracisë, profesionalizmit dhe paanësisë, të garantuara me legjislacionin përkatës dhe praktikat më të mira ndërkombëtare në fushën e prokurorisë.



Të tjera
Superliga sot me dy ndeshje goxha interesante
Julian Alvarez drejt largimit nga Atletico, Barcelona gati ta transferojë
Disa gjëra që prindërit shpesh harrojnë t’ua tregojnë fëmijëve të tyre të rritur