Alishani akuzon kryetarin Shaqir Totaj për favorizim në subvencione: “Prizreni nuk është për dostat”

“Prizreni nuk është për dostat”

Asambleistja e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, Dafina Alishani, ka reaguar ashpër ndaj ndarjes së subvencioneve nga Drejtoria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, duke e akuzuar kryetarin Shaqir Totaj për favorizim të afërmve të tij.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Alishani ka theksuar se nga të gjithë përfituesit e subvencioneve, vetëm katër organizata kanë pranuar pagesat, ndërsa në mesin e tyre janë dy festivale të lidhura ngushtë me kryetarin dhe një OJQ që, sipas saj, i përket fotografit personal të Totajt.

“Ja edhe një fakt që ky pushtet është vetëm për dosta të Shaqir Totaj! Fotografi i cili videot promovuese të Shaqirit po i bënë me dron, përfiton nga taksat e qytetarëve. Hipokrizia e këtij pushteti është që i merr subvencionet nga taksat e qytetarëve dhe ua jep dostave, më pas dostat bëjnë video propaganduese me dron për ‘punët e mira’ të këtij talenti”, ka shkruar ajo.

Alishani ka theksuar se kjo qasje duhet të marrë fund më 12 tetor, duke kërkuar ndryshim në menaxhimin e fondeve publike:

“Kjo është qeverisja e Shaqir Totaj ku edhe subvencionet i keqpërdor dhe prioritet kanë organizatat që kanë afërsi me të. Prizreni meriton më mirë”, ka deklaruar ajo.