Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në mungesë të të akuzuarit Dardan Molliqaj, ka dështuar të nisë gjykimi ndaj tij dhe Fatos Rexhepit, lidhur me akuzën për sulmin ndaj Haki Abazit pas një debati televiziv në vitin 2019.
Gjyqtari i rastit, Fisnik Gashi njoftoi palët se nga i akuzuari Molliqaj kanë pranur një e-mail, me të cilën e ka njoftuar Gjykatën se për shkak të angazhimeve të planifikuara në kuadër të fushatës zgjedhore, nuk do të ketë mundësi të jetë i pranishëm në këtë seancë, raporton “Betimi për Drejtësi“.
I pranishëm në seancën e shqyrtimit fillestar ishte prokurori Kastriot Berisha, mbrojtësi i të akuzuarit Molliqaj, avokati Dren Kukaj dhe i akuzuari Fatos Rexhepi. Ndërsa, i dëmtuari Haki Abazi u paraqit në seancë pas konstatimit të gjyqtarit për prezencën e palëve.Në mungesë të kushteve ligjore, gjyqtari Gashi ndërpreu seancën, ndërsa të radhës e caktoi për një datë tjetër. Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 18 shkurt 2020 nga Prokuroria Themelore në Prishtinë të pandehurit Dardan Molliqaj dhe Fatos Sahiti akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Sulmi”, nga neni 184, paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, vepër kjo e dënueshme me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Në aktakuzë thuhet se më 11 shtator 2019, rreth orës 22:00 në Fushë Kosovë, në Kolegjin “AAB”, të pandehurit e lartcekur pas përfundimit të debatit në emisionin “Pressing” në studion së televizionit T7, ku ishin të ftuar Endrit Shala, Rexhep Hoti, Haki Abazi dhe Dardan Molliqaj, me të dalë në korridor të kolegjit AAB, i pandehuri Molliqaj fillimisht e ka thirrë të dëmtuarin Abazi “ndalu këtu të flasim çka deshte me thënë në debat”, i cili ishte para tyre në korridor duke dalë në shoqëri me Rexhep Hotin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se posa i afrohet i pandehuri Molliqaj me dashje, duke e përdorë forcën e sulmon të dëmtuarin Haki Abazi në atë mënyrë që fillimisht e ka kapur për duar e më pas e godet me grusht në fytyrë dhe shqelma në këmbë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, këtij sulmit i bashkëngjitet edhe i pandehuri Sahiti, i cili e godet të demtuarin me grusht derisa i dëmtuari arrin t’iu largohet dhe të ikë me shpejtësi në drejtim të studios së televizionit T7, dhe kështu i shqetësuar për rastin e thërret policinë.



Të tjera
Pse gratë përballen me depresion pas lindjes
Pse duhet konsumuar vezët?
Receta me aspirinë që çdo femër duhet t’i dijë