Vizita e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Kinë dhe pjesëmarrja e tij në paradën ushtarake në Pekin kanë rihapur debatin mbi orientimin e politikës së jashtme të Serbisë: a do të mbetet vendi në kursin evropian apo po mbështetet gjithnjë e më shumë te aleatët autoritarë.
Ndërsa pushteti në Beograd e thekson partneritetin strategjik me Kinën dhe Rusinë, opozita dhe një pjesë e opinionit profesional paralajmërojnë se Serbia po zhytet gjithnjë e më thellë në modelet autokratike të qeverisjes, duke u larguar nga vlerat evropiane.
Vuçiq, gjatë ditëve të fundit, është takuar fillimisht me presidentin rus Vladimir Putin, e më pas edhe me liderin kinez Xi Jinping. Brukseli e ka cilësuar takimin në Pekin, ku morën pjesë edhe liderë të Koresë së Veriut, si një sfidë të drejtpërdrejtë ndaj rendit ndërkombëtar dhe si sinjal të forcimit të një “fronti anti-perëndimor”. Ndërkohë në Beograd, pushteti e paraqet ngjarjen si sukses diplomatik dhe si mundësi që Serbia të jetë në shoqërinë e fuqive globale.
Në takimin me Putinin dominuan temat politike dhe ekonomike. Vuçiq falënderoi Rusinë për mbështetjen e saj ndaj integritetit territorial të Serbisë dhe nënvizoi se Beogradi, pavarësisht presioneve, nuk i ka vendosur sanksione Moskës.
Putin u përgjigj se Rusia “me respekt e sheh orientimin e pavarur të Serbisë”. Në bisedën me Xi Jinping, presidenti serb deklaroi se Serbia dhe Kina janë “miq të çeliktë”, ndërsa lideri kinez theksoi se mbështet përpjekjet e Serbisë për të ruajtur unitetin dhe stabilitetin dhe njoftoi zhvillim të mëtejshëm të marrëdhënieve dypalëshe.
Megjithatë, opozita në Serbi e sheh këtë vizitë si dëshmi të afërsisë së Vuçiqit me “autokratë të ngjashëm”.
Nënkryetari i Partisë së Lirisë dhe të Drejtësisë (SSP), Borko Stefanoviq, i cili në kohën kur Vuçiq ishte në Pekin, po zhvillonte takime me përfaqësues të Komisionit Evropian dhe të Këshillit Evropian, deklaroi se Vuçiq është “autokrati më i keq evropian pas Lukaçenkos” dhe se rruga natyrale e Serbisë është Evropa. Ai shtoi se Vuçiq nga Pekini po ironizon me mbledhjet e tyre në Bruksel.
“Do t’i thosha vetëm këtë: secili është aty ku duhet të jetë. Ne jemi atje ku është e ardhmja e Serbisë, pavarësisht të metave të Bashkimit Evropian; ky është vendi ynë i natyrshëm,” tha Stefanoviq.
Edhe kryetari i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë, Pavle Grboviq, deklaroi se Vuçiq po kërkon zgjidhje “aty ku liria është shuar”.
“Ndërsa para opinionit vendas dhe atij ndërkombëtar flet për rrugën evropiane të Serbisë, e vetmja gjë në të cilën është i qëndrueshëm është autokracia,” u shpreh ai, duke shtuar se Vuçiq ndihet më mirë në shoqërinë e Vladimir Putinit, Xi Jinpingut, Kim Jong Unit dhe të tjerëve.
Fronti jeshil, i majtë (ZLF) vlerësoi se pjesëmarrja e Vuçiqit në paradën ushtarake në Pekin dërgon një mesazh të gabuar dhe se rruga evropiane e Serbisë nënkupton sundim të ligjit, vazhdim të dialogut me Kosovën dhe përafrim të politikave me BE-në, përfshirë vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Ata shtuan se investimet kineze nuk kanë sjellë zhvillim, por probleme, duke përkujtuar ndotjen dhe aferat korruptive, si në rastin e rindërtimit të stacionit hekurudhor të Novi Sadit, ku shembja e një çatie mori 16 jetë njerëzish.
Analistët paralajmërojnë se politika e jashtme e Vuçiqit po anon gjithnjë e më shumë drejt krijimit të një bote të re, anti-perëndimore, nën dominimin ruso-kinez.Themeluesi i lëvizjes “Optimismi i Ri”, Branislav Guta Grubaçki, deklaroi se “çdo qytetar normal ndien frikë nga drejtimi ku po shkon shoqëria”. Sipas tij, Vuçiq po rreshtohet mes liderëve që i tremben “revolucioneve me ngjyra”, ndërkohë që publiku duhet të kuptojë se “nuk ka jetë” në një shoqëri të ndërtuar mbi modele autoritare.
“Për çfarë ka Vuçiq të bisedojë me ‘Vëllain Xi’, përveç për shitjen e mëtejshme të resurseve dhe përpjekjeve që për të gjitha shkeljet të mos mbajë kurrë përgjegjësi,” tha Grubaçki, duke shtuar se “zgjedhja ende ekziston, nëse qytetarët vendosin ta bëjnë atë.”
Analistët kujtojnë gjithashtu se në tubime të tilla Vuçiq shpesh gjendet në margjinat e ngjarjes, pa statusin e një aleati të barabartë. Serbia mbetet formalisht kandidate për anëtarësim në BE, por marrëdhëniet e saj me BE-në po përkeqësohen, ndërsa bazat ideologjike të pushtetit po lidhen gjithnjë e më hapur me Lindjen.
Të tjera
Zvicra shënon golin e dytë, Kosova në krizë
Filloi ndeshja Zvicër – Kosovë
Lëngu i qepës, kundër rënies së flokut