Geci me kritika të ashpra: Marrëveshjet e Thaçit e Isës e sollën Listën Serbe në pushtet – sot ajo…

Halil Geci, ka reaguar ashpër ndaj bllokadës së Kuvendit të Kosovës, duke akuzuar opozitën për bashkëpunim të vazhdueshëm me Serbinë dhe struktura që, sipas tij, po minojnë shtetësinë e vendit nga brenda.

Në një postim në Facebook, Geci shprehet se “rreziku më i madh për Kosovën nuk vjen nga jashtë, por nga marrëveshjet e vjetra të opozitës me Beogradin”, të cilat sipas tij po i japin Serbisë mundësinë që ta zhbëjë gradualisht shtetin e Kosovës deri në zhdukje, transmeton “Bota sot”.

“Opozita e sotme është e lidhur ngushtë me marrëveshjet e kohës së Thaçit dhe Isës, ku u pranua se pa Listën Serbe nuk ka institucione”, shkruan Geci, duke shtuar se “Lista Serbe është futur në pushtet pikërisht nga opozita e atëhershme, dhe sot funksionon si instrument i Serbisë dhe Rusisë brenda institucioneve të Kosovës.”

Ai shkon më tej duke akuzuar zyrtarë të PDK-së se kanë udhëtuar drejt Brukselit për të kërkuar nga BE-ja që të mbajë në fuqi sanksionet ndaj Kosovës, një veprim që e cilëson si “tradhti të shekullit”.Sipas tij, bojkoti i Kuvendit nga opozita nuk është thjesht një veprim politik, por “një plan për t’ia shuar shtetin Kosovës nga brenda”, duke i shërbyer drejtpërdrejt interesave të Beogradit dhe Moskës.

“Kush janë fajtorët? Vetëm kutia e votimit do t’ua tregojë,” shkruan ai, duke lënë të kuptohet se një përballje elektorale është rruga për të “shpëtuar Kosovën”.