Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, deklaroi të martën se puna e Kuvendit nuk duhet të pengohet për shkak të moszgjedhjes së një nënkryetari.
Ajo kritikoi Listën Serbe, duke e akuzuar se po përpiqet të bllokojë formimin e institucioneve të vendit.
“Në rrethana kur bllokohet puna e Kuvendit, përkundër faktit që kryesia ka kuorum, pamundësohet ushtrimi i sovranitetit. Bllokimi i Kuvendit për mos përzgjedhjen e një nënkryetari, përderisa kryesia ka kuorum, do t’i cenonte në mënyrë serioze edhe themelet mbi të cilat është ndërtuar republika jonë”, tha Osmani.
Anëtari i Listës “Guxo”, Kujtim Hajdaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se thirrja e Presidentes Vjosa Osmani duhet të merret seriozisht nga partitë politike, institucionet e shtetit, mediat dhe Gjykata Kushtetuese.
“Thirrja e Presidentes së Republikës së Kosovës, zonj. Vjosa Osmani, në raport me zhvillimet politike në Kosovë, duhet të zënë hapsirë në tërë opinionin tonë publik…, qoftë tek partitë, institucionet e shtetit, mediat e duke përfshirë këtu edhe vet Gjykatën tonë Kushtetuese.
Thirrja e Presidentes po bëhet në momentin e duhur por edhe kritik për shtetin tonë, duke e parë rrezikun që Lista ‘Srpska’ po e paraqet për funksionimin demokratik e institucional të Republikës së Kosovës. T’ua përkujtoj se Lista ‘Srpska’ është autore e të gjitha lëvizjeve politike dhe jo politike që kanë ndodhur në Veri të Mitrovicës që ndërlidhen me politikën e Vuqiqit, për të penguar dhe sabutuar funksionimin e shtetit tonë si shtet i pavarur dhe sovran. E gjithë dhuna që është orkestruar përgjatë viteve të tëra në Veri të Mitrovicës kundër policisë sonë, forcave paqeruajtëse të KFOR-it dhe gazetarëve e deri të akti terrorist që e organizuan në shtator 2023 me ç’rast u vra rreshteri Afrim Bunjaku, origjinën e ka nga Lista ‘Srpska’ më synim të krijimit të rrethanave të reja politike të shkëputjes së Veriut të Mitrovicës nga territori sovran i Republikës së Kosovës.
Përveç kësaj, t’u përkujtojë se Lista ‘Srpska’ nuk e njeh Republikën e Kosovës dhe simbolet tona shtetërore, dhe duke e quajtur vazhdimisht Kosovën, si “Kosovo i Metohija’. Pra thjeshtë, Lista ‘Srpska’ si dorë e zgjatur e politikës së Vuqiqit, është duke zhvilluar luftë speciale kundër shtetit tonë, të pavarur dhe sovran”, shprehet ai.
Lista ‘Srpska’ si satelit i Serbisë e as vet Vuqiqi, nuk donë të drejta minoritare e as stabilitet politik në Veri të Mitrovicës apo në lokalitete tjera të Kosovës, por thjeshtë donë të pengojnë Kosovën të funksionojë si shtet i lirë, demokratik dhe i pavarur. Sigurisht, Vuqiqi dhe pionet e tij të Listës ‘Srpska’ me këtë situatë të krijuar – që fatkeqësisht po i mundësohet edhe nga opozita në Kosovë – donë të tërheqin vëmendjen e opinionit ndërkombëtar nga kriza e madhe politike dhe protestat e përditshme masive që e kanë përfshirë Serbinë kundër pushtetit kriminal dhe të korruptuar të Vuqiqit.
Presidentja e tha, dhe kështu duhet të kuptohet drejtë, se institucionet e Republikës së Kosovës, pra duke e përfshirë këtu edhe konstituimin e kuvendit, nuk mund të mbeten peng i një partie partie siq është Lista ‘Srpska’ me mos zgjedhjen e një nënkryetari të kuvendit.
Dhe në fund, unë mendoj se të gjitha partitë politike kur është në pyetje interesi i jonë i përgjithshëm si popull dhe shtet, duhet dhe e kanë për detyrë t’i dalin në mbrojtje parimeve politike bazë për të mundësuar funksionimin normal të institucioneve të Republikës së Kosovës” – përfundon ai
Të tjera
Si PDK, LDK dhe AAK i dhanë vulë Listës Serbe
Arrestohet një tifoz i Real Oviedos, bëri gjeste dhe tinguj majmuni drejt Mbappes
Shteti ynë është shtet unitar e jo multietnik