Shkruan: Fadil Pushkolli
Miqësia mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara është e shenjtë dhe e pakontestueshme. Pa mbështetjen amerikane, Kosova sot nuk do të ishte shtet i lirë e i pavarur. Por ky realitet nuk duhet të na bëjë naivë: brenda administratave amerikane kanë ekzistuar dhe ekzistojnë ende zyrtarë që kanë mentalitet mercenarësh dhe luajnë me kurrizin e Kosovës.
Mercenarët me kostum diplomati që luajnë me kurrizin e Kosovës
Këta burokratë nuk e shohin Kosovën si aleat strategjik, por si një kartë pazari. Në emër të “stabilitetit rajonal” ata tentojnë ta relativizojnë shtetin tonë, duke e paraqitur si një problem të pazgjidhur që mund të përdoret për të mbajtur të kënaqur Serbinë. Për ta, sakrifica e popullit tonë, lufta e drejtë për liri dhe mbështetja historike e SHBA-së nuk kanë peshë; ka peshë vetëm interesi i momentit dhe balancat e ftohta gjeopolitike.
Ky mentalitet mercenar është ushqyer edhe nga lobimi agresiv i Serbisë në Washington. Me miliona dollarë të investuara në lobistë e think-tank-e, Beogradi ka arritur të fusë dyshime dhe të krijojë narrativën e rreme se “pa dhënë diçka Serbisë nuk ka paqe në Ballkan”. Dhe disa nga këta zyrtarë amerikanë e kanë përqafuar këtë narrativë jo sepse është e drejtë, por sepse u shërben interesave të tyre.
Në këtë mënyrë, ata jo vetëm që cenojnë interesin e Kosovës, por edhe e njollosin vetë miqësinë tonë me SHBA-në. Sepse një gjë është politika shtetërore amerikane – e cila qëndron fuqishëm krah Kosovës – dhe krejt tjetër është qëndrimi i individëve të caktuar që, të shtyrë nga egoja apo kalkulime të ngushta, i shërbejnë Beogradit dhe jo aleatit të tyre të vërtetë.
Kosova nuk duhet të heshtë. Përkundrazi, diplomacia jonë duhet të jetë e guximshme për të identifikuar dhe demaskuar këta burokratë që trajtojnë vendin tonë si monedhë shkëmbimi. Sepse respekti për miqtë tanë amerikanë kërkon sinqeritet: nuk mund të quajmë mik dikë që, nën maskën e diplomatit, punon për ta dobësuar Kosovën.
Historia na mëson se liria nuk dhurohet, ajo fitohet dhe mbrohet çdo ditë. Sot, sfida jonë nuk është më në fushëbetejë, por në korridoret e diplomacisë ndërkombëtare. Dhe aty duhet të jemi të qartë: miqtë tanë i respektojmë pa kushte, por mercenarët me kostum diplomati nuk do të lejohen të luajnë me kurrizin e Kosovës.
Të tjera
Vr*itet një 40-vjeçar në Ferizaj, arr*estohet i dyshuari
Nuk kishte prova për dhu*në të UÇK-së kundër serbëve
Nëse UÇK-ja e ‘99-ës ishte partnere e ShBA-së, pas 2000-ës ndodhi një çinteresim për të