Gjatë Konferencës Rajonale “Fuqizimi i Grave në Ballkanin Perëndimor”, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se qeveria ka ndërmarrë hapa për të përkrahur gratë dhe fuqizimin e tyre në sektorin e bujqësisë.
“Qeveria ka ndërmarrë hapa konkretë duke mbështetur bujqësinë e udhëhequr nga gratë dhe duke zgjeruar programet për zhvillim ekonomik e social në zonat rurale. 5,650 gra fermere janë përkrahur me subvencione në vlerë prej 11 milionë eurosh nga Ministria e Bujqësisë. Po zbatohet një program strategjik prej 1.5 milionë eurosh, i cili përmes trajnimeve të avancuara në agro-biznes, menaxhim të tokës dhe zhvillim të qëndrueshëm, synon që gratë rurale të bëhen lidere të bizneseve dhe inovacioneve rurale,” tha ai.
Mbahet konferenca rajonale ‘Fuqizimi i Grave në Ballkanin Perëndimor’
Në Prishtinë është mbajtur Konferenca Rajonale “Fuqizimi i Grave në Ballkanin Perëndimor”, e organizuar nga Shoqata EkoKos Women, e cila synon të adresojë sfidat dhe mundësitë në fushën e fuqizimit social dhe ekonomik të grave rurale në rajon.
Koordinatorja nacionale e platformës për Kosovë, Magbule Hyseni, tha se edhe pse gratë rurale në Kosovë përballen me sfida, ato mbeten shtylla e shoqërisë dhe zhvillimit ekonomik të vendit.
“Gratë rurale në Ballkanin Perëndimor përballen me sfida të përbashkëta si qasje e kufizuar në tokë, resurse financiare, tregje dhe vendimmarrje. Megjithatë, ato mbeten shtylla kryesore e shoqërisë dhe komuniteteve tona, ushqejnë familjet, mbajnë gjallë ekonominë rurale dhe ruajnë traditat e trashëgiminë kulturore. Përmes kësaj platforme, kemi krijuar një hapësirë unike bashkëpunimi ku zërat e grave nga Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Serbia dhe Bosnja e Hercegovina bëhen më të fuqishëm së bashku,” theksoi ajo.
Sekretarja e Përgjithshme në Ministrinë e Bujqësisë, Venera Çerkini, tha se mbështetja e grave rurale mbetet prioritet i ministrisë së Bujqësisë. “Kemi krijuar politika të qarta dhe mbështetje konkrete për gratë rurale. Janë vendosur një sërë mekanizmash mbështetës që u japin grave më shumë mundësi për investim, ngritje të kapaciteteve profesionale dhe përfshirje në zinxhirin e vlerës bujqësore”, ka thënë Çerkini.
Koordinatorja rajonale e platformës, Biljana Petrovska Mitrevska, prezantoi platformën rajonale për përmirësimin e statusit ekonomik dhe social të grave rurale në Ballkanin Perëndimor. “Platforma synon promovimin e barazisë gjinore, avancimin ekonomik të grave dhe rritjen e pjesëmarrjes së tyre në vendimmarrje. Vizioni ynë mbetet bashkimi dhe fuqizimi i grave rurale, ndërsa si strategji përfshihet lobimi dhe barazia gjinore,” shtoi ajo.



Të tjera
Disa gjëra për të cilat njerëzit pendohen kur plaken
Sa shpesh duhet t’i lajmë çarçafët?
Këto shenja tregojnë se partneri juaj nuk ju do më