Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, priti sot në takim lamtumirës ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jörn Rohde, me rastin e përfundimit të mandatit të tij diplomatik në vendin tonë.
Gjatë takimit, presidentja Osmani e falënderoi ambasadorin Rohde për angazhimin dhe kontributin e tij të çmuar gjatë viteve të shërbimit në Kosovë, duke theksuar se roli i tij ka qenë i rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Gjermanisë.
Presidentja Osmani ritheksoi se Gjermania mbetet një nga partnerët strategjikë më të rëndësishëm të Republikës së Kosovës, ndërsa vuri në pah rritjen e vazhdueshme të këtij partneriteti në fusha të ndryshme. Në veçanti, ajo nënvizoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik, duke theksuar rolin e diasporës kosovare në Gjermani si një urë e fuqishme lidhëse ndërmjet dy vendeve, njofton Presidenca.
Gjithashtu, Osmani shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë ndaj Kosovës në rrugën e saj drejt integrimit euroatlantik, si dhe për ndihmën konkrete nëpërmjet projekteve zhvillimore në sektorë të ndryshëm.
Presidentja Osmani i uroi ambasadorit Rohde suksese të mëtejshme në angazhimet e tij të ardhshme dhe shprehu bindjen se bashkëpunimi ndërmjet dy shteteve do të vazhdojë të thellohet edhe më tej në të ardhmen, thuhet në njoftim.



Të tjera
Majlinda Kelmendi refuzon ofertë të majme nga Emiratet Arabe
Mjetet piroteknike mund të kenë shkaktuar zjarrin në Zvicër
Nga UÇK, në FSK: Irfete Spahiu, gruaja e parë gjeneralmajore e Kosovës