Dogana e Kosovës ndaloi mbi 139 mijë produkte të falsifikuara gjatë korrikut dhe gushtit 2025

Dogana e Kosovës ndaloi mbi 139 mijë produkte të falsifikuara gjatë korrikut dhe gushtit 2025

Dogana e Kosovës ka njoftuar se gjatë muajve korrik dhe gusht të këtij viti, Zyrat e Brendshme Doganore që veprojnë në kuadër të Departamentit Rajonal Doganor – Prishtinë kanë ndaluar dhe trajtuar mbi 139 mijë copë mallra të falsifikuara, të markave të njohura ndërkombëtare.

Sipas njoftimit zyrtar, ndalimet janë rezultat i kontrolleve të detajuara dhe analizës së riskut, të realizuara në bashkëpunim me përfaqësuesit zyrtarë të pronësisë intelektuale dhe të drejtave të autorit.

Vetëm Zyra e Brendshme Doganore – Prishtina 1 ka ndaluar 114,900 copë mallra të falsifikuara, përfshirë makina elektrike për fëmijë të markave BMW dhe Audi, aksesorë me logo të Mercedes, AMG dhe të tjera, si dhe tekstile të markave si Louis Vuitton, Gucci, Chanel dhe Reebok.

Zyra Prishtina 2 ka ndaluar 15,720 copë mallra si atlete, çorape dhe të brendshme të markave Adidas, Nike, Calvin Klein, ndërsa Zyra Prishtina 3 ka evidentuar 7,738 copë, përfshirë makina elektrike Lamborghini dhe mbathje të markave të njohura. Në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës janë ndaluar gjithashtu 1,505 copë, kryesisht bizhuteri dhe ambalazhe luksoze të markave si Gucci, Prada dhe Louis Vuitton.

Dogana thekson se mbetet e përkushtuar në luftimin e falsifikimit, kontrabandës dhe veprimtarive të paligjshme, të cilat dëmtojnë jo vetëm ekonominë vendore, por edhe të drejtat e konsumatorëve dhe të pronësisë intelektuale.

“Zbatimi i ligjit dhe mbrojtja e tregut nga produktet e falsifikuara mbetet prioritet i yni”, thuhet në fund të njoftimit nga Dogana e Kosovës./KosovaPost