Asnjë shqiptar në listat e fundit për pranim në polici në Serbi, reagon Këshilli Kombëtar Shqiptar

Serbia shqyrton shërbimin e detyrueshëm ushtarak, reagon Lugina e Preshevës

Deputeti shqiptar në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, ka dorëzuar sot një propozim për themelimin e një Komisioni të posaçëm parlamentar, me mandat për të hetuar rastet e vdekjeve të 135 ushtarëve shqiptarë në radhët e Armatës Popullore të Jugosllavisë (APJ) gjatë viteve ’80.

 

Nisma vjen në një kohë kur autoritetet serbe po bëjnë përgatitjet e fundit për rivendosjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak – zhvillim që ka ngjallur shqetësim të thellë te shqiptarët e Luginës së Preshevës, për shkak të përvojave të rënda historike me diskriminimin dhe trajtimet e padrejta në ushtri.

Sipas Kamberit, shumë prej rasteve të raportuara si “vetëvrasje”, “aksidente” apo “shkelje disiplinore” nga autoritetet ushtarake të asaj kohe janë konsideruar të dyshimta nga familjet e viktimave, të cilat shpesh kanë pohuar se mbi trupat e të rinjve shqiptarë ishin të dukshme shenja dhune.

“Mungesa e hetimeve të pavarura dhe transparencës ka forcuar bindjen se kemi të bëjmë me vrasje me motive etnike dhe politike, në një periudhë kur shqiptarët në APJ përballeshin me diskriminim dhe armiqësi të hapur”, theksoi Kamberi.

Ai shtoi se ky fenomen ka mbetur i heshtur e i padokumentuar në diskursin publik serb, duke dëshmuar mungesën e përballjes me të kaluarën dhe të diskriminimit institucional ndaj shqiptarëve.

Për këtë arsye, Kamberi ka propozuar që Komisioni i posaçëm të mos përbëhet vetëm nga deputetë, por të përfshijë edhe përfaqësues të shoqërisë civile dhe të komunitetit shqiptar, për të garantuar një proces transparent dhe gjithëpërfshirës.

“Drejtësia për viktimat është gurthemeli i pajtimit dhe i një të ardhmeje më të mirë për të gjithë”, deklaroi deputeti shqiptar.

Edhe kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka reaguar pas debatit mbi rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak në Serbi, duke e konsideruar këtë nismë të rrezikshme për komunitetin shqiptar në Luginë të Preshevës.

Sipas saj, kujtesa kolektive e shqiptarëve mbetet e rënduar nga përvojat e dhimbshme gjatë dekadave të kaluara, kur dhjetëra të rinj humbën jetën në rrethana të dyshimta gjatë shërbimit ushtarak në Armatën Popullore të Jugosllavisë (APJ), pa hetime dhe pa drejtësi.

“Nisma për rikthimin e shërbimit ushtarak të detyrueshëm ngjall shqetësim të madh, sepse rikthen kujtime të dhimbshme dhe frikën e përsëritjes së padrejtësive të së kaluarës”, deklaroi Sinani.

Ajo shtoi se është koha që ky kapitull i errët të zbardhet, që viktimat dhe familjet e tyre të marrin drejtësi dhe shteti të përballet me të kaluarën, për të ndërtuar një të ardhme më të drejtë dhe më të barabartë.