Një delegacion zyrtar i Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, i udhëhequr nga drejtori i Departamentit për Politika dhe Strategji, Azem Smajli, me ftesë nga Ministria e Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, morën pjesë në Panairin Ndërkombëtar të Mbrojtjes dhe Sigurisë DSEI UK 2025, që u mbajt në Londër nga 8 deri më 13 shtator 2025.
Në shoqërim të delegacionit ishte këshilltari bilateral nga Britania e Madhe në Ministrinë e Mbrojtjes, nënkolonel Mike Butler.
Ky panair është një nga ngjarjet më të mëdha dhe më prestigjioze në botë në fushën e industrisë së mbrojtjes, duke mbledhur së bashku më shumë se 1600 (një mijë e gjashtëqind) kompani prodhuese dhe ofruese të teknologjive të avancuara nga rreth 70 vende të botës.
“Në këtë ngjarje përfshihen ekspozita dhe prezantime të sistemeve dhe pajisjeve ushtarake, teknologjive të avancuara të sigurisë, zgjidhjeve inteligjente për mbrojtjen kibernetike, transportin ushtarak, sistemet ajrore dhe detare, si dhe shumë fusha të tjera që kontribuojnë në modernizimin dhe forcimin e kapaciteteve mbrojtëse të shteteve”, ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.
Nikoqiri i kësaj ngjarjeje madhore është Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar, e cila çdo dy vjet organizon këtë panair me qëllim forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar në fushën e mbrojtjes, promovimin e teknologjive inovative dhe lidhjen e partneriteteve strategjike mes shteteve dhe industrisë.
Përveç pjesëmarrjes në panair, delegacioni zhvilloi takime të rëndësishme zyrtare me përfaqësues të Ministrisë së Mbrojtjes së Mbretërisë së Bashkuar, si dhe me kompani prestigjioze britanike dhe kompani prodhuese tjera ndërkombëtare.
Diskutimet u fokusuan në nevojat dhe projektet strategjike të MM-së dhe FSK-së, mundësitë për bashkëpunim dhe mbështetje në fushën e industrisë së mbrojtjes, si dhe ofrimin e asistencës profesionale për avancimin e kapaciteteve tona ushtarake dhe sigurimin e pajisjeve moderne.
Gjatë qëndrimit në Londër, delegacioni i shoqëruar nga Atasheu i Mbrojtjes në Mbretërinë e Bashkuar, kolonel Agron Bajrami, vizituan Ambasadës së Republikës së Kosovës, ku u pritën nga ambasadori Ilir Kapiti.
Kjo vizitë shënon një hap të rëndësishëm në fuqizimin e bashkëpunimit midis Kosovës dhe Mbretërisë së Bashkuar, duke kontribuuar në përmirësimin e kapaciteteve të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit tonë dhe duke hapur perspektiva të reja për zhvillimin e sektorit të mbrojtjes.
Të tjera
Kosova duhet të përfshihet si anëtare
PZAP refuzon ankesën e Listës Serbe ndaj LVV-së për gjoja shkelje të Kodit të mirësjelljes
Konfiskohen pajisje elektronike, 14 telefona, 2 orë të mençura!