Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka refuzuar si të pabazuar ankesën e paraqitur nga Lista Serbe ndaj Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), për gjoja shkelje të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.
Në ankesën e paraqitur më 17 shtator 2025 Lista Serbe pretendoi se LVV kishte abuzuar me të drejtën e ankesës duke paraqitur një padi të pabazuar kundër tyre më 15 shtator 2025, lidhur me shfaqjen publike të parullës “SVI ZA BRATA MILANA”, në mbështetje të kryeterroristit Milan Radojiçiq, i shpallur në kërkim nga autoritetet kosovare për vepra penale.
Megjithatë, pas shqyrtimit të pretendimeve të të dyja palëve dhe dokumentacionit të dorëzuar, PZAP vlerësoi se LVV ka ushtruar të drejtën e saj legjitime për të paraqitur ankesë, siç parashihet me Ligjin Nr. 08/L-228 për Zgjedhjet e Përgjithshme, dhe se nuk ka prova të qarta dhe bindëse që vërtetojnë abuzim me të drejtën e ankesës.
Paneli theksoi se çdo subjekt politik ka të drejtë të parashtrojë ankesë në rast se vëren shkelje të ligjit apo të Kodit të Mirësjelljes gjatë fushatës, dhe kjo nuk mund të konsiderohet si abuzim për sa kohë ankesa bazohet në indicie apo prova të dorëzuara në përputhje me ligjin.
Sipas Nenit 117.3 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, vendimet e PZAP duhet të bazohen në dëshmi të qarta dhe bindëse, gjë që nuk është ofruar nga Srpska Lista për të vërtetuar pretendimin e tyre.
Si përfundim, PZAP konstatoi se pretendimet e Srpska Listës janë të paqëndrueshme dhe të pabazuara në ligj, duke refuzuar ankesën e tyre dhe duke riafirmuar legjitimitetin e ankesës së mëparshme të paraqitur nga Lëvizja Vetëvendosje.
Të tjera
Genar Topalli sqaron burimin e të ardhurave pas komenteve për dasmën e tij
Haradinaj zbulon detajet e bashkëpunimit me CIA-n: Komunikimi nuk është ndalur as në luftë
Ukraina pret një fond prej 3.5 miliardë dollarësh deri muajin e ardhshëm – për armët amerikane për të luftuar kundër Rusisë