“Do të përballen me një ferr të vërtetë tifozësh” – sllovenët i frikësohen atmosferës në “Fadil Vokrri”

Ka bërë bujë në mediat sllovene shitja e biletave brenda tri orësh për ndeshjen që Kosova e luan më 10 tetor në “Fadil Vokrri” në Prishtinë kundër Sllovenisë.

Ndeshja Kosovë – Slloveni i takon kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 në futboll, ku Dardanët pas fitores ndaj Suedisë, kanë ringjallur entuziazmin.

Mediumet sllovene të mërkurën kanë shkruar se të përzgjedhurit e Matjazh Kekut i pret një atmosferë e zjarrtë në Prishtinë.

 Tifozët e Kosovës ndaj Suedisë

“Ndeshja e radhës kualifikuese e ekipit slloven të futbollit është më 10 tetor, kur ekipi i Matjazh Kekut viziton Kosovën. Atje, ekipi ynë i përzgjedhur do të përballet me një ferr të vërtetë tifozësh, me biletat për ndeshjen që u shitën brenda tri orësh,” shkruan mediumi slloven “Sportklub” të mërkurën.

Mediumi vë në dukje gjithashtu euforinë e tifozëve pas fitores së madhe të Kosovës ndaj Suedisë.

“Sllovenët do të vendosin për fatin e tyre në tetor, kur do të përballen me dy detyra të vështira. Së pari, ata do të luajnë një ndeshje në Kosovë më 10 tetor, nga ku ka informacione rreth euforisë që ka përfshirë vendin,” shkruan ky medium.

Është pritur interesim i madh pas fitores së Kosovës ndaj Suedisë 2:0, më 8 shtator, në “Fadil Vokrri”. Atmosfera në tribuna ishte e zjarrtë, dhe festa pas ndeshjes ishte edhe më e madhe.

 Festa e lojtarëve të Kosovës