Genar Topalli sqaron burimin e të ardhurave pas komenteve për dasmën e tij

Genar Topalli [djali i politikanes së njohur Jozefina Topalli] ka bërë një sqarim publik lidhur me burimin e të ardhurave të tij dhe po ashtu partneres, për sa i përket kostos së dasmës së tyre.

Përmes një postimi në Facebook, Topalli deklaroi se dasma është financuar nga ai dhe partnerja e tij Cindy, me mbështetjen e prindërve të kësaj të fundit, derisa shpenzimet e darkës, ishin një kosto që nuk kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri.

Tutje ai ka deklaruar se ai dhe bashkëshortja e tij, jetojnë dhe punojnë në SHBA, ku drejtojnë së bashku biznesin e tyre në fushën e transportit, derisa partnerja e tij Cindy, menaxhon po ashtu një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kalifoninë Jugore në pronësi të familjes së saj.

 Foto: Cindy Marina / Instagram

“Të dashur miq, familjarë dhe të njohur. Më 13 shtator 2025 përjetova ditën më të bukur të jetës sime: u kurorëzova me Cindy Marina. Edhe pse nuk kemi asnjë detyrim të japim shpjegime për jetën private, dua ta bëj këtë reagim për transparencë. Ceremonia u zhvillua në Bazilikën e Shën Marisë, te Altari i Qiejve – një bekim i madh shpirtëror, për të cilin, siç dihet, nuk ka pagesë, por vetëm një donacion simbolik”.

“Më pas, darka u mbajt në një ambient në Romë, me kosto që nuk kalon shpenzimet e zakonshme të një dasme në Shqipëri (çdokush mund ta verifikojë lehtësisht me një kërkim të thjeshtë në Google). Gjithçka është menduar, organizuar dhe financuar prej meje dhe Cindy-t, me mbështetjen e prindërve të saj”, ka thënë Genar Topalli.

Foto: Cindy Marina / Instagram

“Ne jetojmë e punojmë në SHBA, ku drejtojmë së bashku biznesin tonë në fushën e transportit, ndërsa Cindy, përveç angazhimeve të tjera, menaxhon një nga klubet më të mëdha të volejbollit në Kaliforninë Jugore, në pronësi të familjes së saj. Prindërit e Cindy-t jetojnë në SHBA prej afro 30 vitesh dhe sot kanë ndërtuar biznese të suksesshme në fushën e transportit dhe të sportit, me mbi 150 të punësuar”, ka theksuar ai mes tjerash.

Reagimi i tij publik, siç potencoi Topalli vjen si sqarim për të hedhur poshtë komentet me shifra të cilat i cilëson si krejtësisht të pavërteta.