Tetë vite më parë, Vehbi Kajtazi nuk linte dyshime për mendimin e tij: Hashim Thaçi duhej gjykuar. Në shkrimet e tij të atëhershme, Thaçi përshkruhej si “sundues i pasluftës”, udhëheqës i një hierarkie të fshehtë nën të cilën u kryen qindra vrasje politike, rrëmbime, tortura dhe akte hakmarrjeje ndaj kundërshtarëve të LDK-së.
Kajtazi sillte rrëfime të gjalla të viktimave, i cilësonte marrëveshjet private të Thaçit me familjarë të tyre si metoda për t’iu shmangur drejtësisë dhe kërkonte që Gjykata Speciale ta vendoste në bankën e të akuzuarve si figurën kryesore të përmendur edhe nga raporti i Dick Martyt.
Në atë kohë, për të, Thaçi ishte sinonim i dhunës së pasluftës dhe i “krimit të organizuar të institucionalizuar”.
”Thaçi tashmë ka mbyllur hesapet me disa prej viktimave dhe dëshmitarëve të mundshëm. Por, jo të gjitha zërat e viktimave janë heshtur. Shumë njerëz u rrahën e u vranë, gjatë kohës kur sundonte një qeveri e pamandutar nga votat demokratike. Presidenti Thaçi duhet të gjykohet pasi që ishte në krye të një hierarkie jozyrtare të pasluftës, gjatë sundimit të së cilës janë vrarë e rrahur dhjetëra njerëz. Dikush duhet të dëgjojë rrëfimet e familjarëve të viktimave dhe Gjykata Speciale duhet që gjykojë të bëmat e Hashim Thaçit, sunduesit të pasluftës, të pamandatuar nga populli në krye të Qeverisë së Përkohshme të Kosovës.”, shkruante Kajtazi në vitin 2017.

Sot: Thaçi si hero kombëtar dhe “ati i shtetit”
Në vitin 2025, i njëjti gazetar flet krejt ndryshe. Për Kajtazin e sotëm, Hashim Thaçi nuk është më politikani i përfolur për krime, por “ati themelues i shtetit të Kosovës”. Ai shprehet se Thaçin “ose e do ose e urren, nuk ka neutralitet”, ndërsa proceset në Hagë i quan “maskaradë kundër UÇK-së”.
Lexo më shumë Kërkesë e ulët nga eksporti dhe rritje e kostove. Industria në Shqipëri në rënie
Madje, Kajtazi sot del në protesta në mbrojtje të ish-krerëve të UÇK-së, duke thënë se ata “përfaqësojnë lirinë dhe shtetin e Kosovës”.
Pra, nga thirrjet për ndëshkim dhe drejtësi, ka kaluar në retorikën e lavdërimit dhe sakralizimit të së njëjtës figurë.

Ironia e madhe: Thaçi nuk e sheh veten si komandant absolut
Kontrasti bëhet edhe më absurd kur dëgjon dëshmitë e amerikanëve James Rubin dhe Paul Williams në Hagë. Të dy kanë theksuar se Hashim Thaçi nuk kishte kompetenca reale në UÇK, se nuk merrte dot vendime pa komandantët e zonave dhe se roli i tij ishte më shumë përfaqësues, jo vendimmarrës.
Lexo më shumë Bislimi demanton dezinformatat se Kosova po i shënjestron institucione shëndetësore serbe në veri
Pra, kur vetë mbrojtja e Thaçit mundohet ta paraqesë si figurë të kufizuar, Kajtazi ngrihet në kulmin e patetizmit për ta bërë “ati themelues të shtetit” dhe figurën qendrore të historisë moderne.

Një gazetari në lojën e pushtetit
Ky zigzag – nga një kritik i pamëshirshëm që e quante kriminel, në një avokat publik që e quan hero – tregon një mungesë të thellë konsistence. Dhe nuk është thjesht çështje e ndryshimit të opinionit personal: është një tregues i mënyrës se si një pjesë e gazetarisë shqiptare lëkundet sipas rrymës politike, duke u bërë herë akuzues të pamëshirshëm, e herë lavdërues fanatikë.
Nëse dikur Thaçi ishte “përgjegjës për dhjetëra vrasje politike”, sot është “ati themelues i Kosovës”. Kjo kontradiktë flet shumë për gazetarinë e Kosovës.
Të tjera
Kushtetueses së sulmuar nga pushteti i vjen mbështetja nga SHBA’të – edhe 12 ditë afat për vendim, a do të zhbllokohen institucionet
Mosmarrëveshje me Fodan? Emir Sahiti sqaron situatën
Melinda merr propozimin për martesë