Gjenden sërish pajisje dhe uniforma ushtarake në Mitrovicën e Veriut

Gjenden sërish pajisje dhe uniforma ushtarake në Mitrovicën e Veriut

Rreth orës 09:45 të mëngjesit të së enjtes, njësia e hetimeve e Stacionit Policor në Zveçan ka zbuluar një rimorkio të dyshimtë, brenda së cilës pas kontrollit janë gjetur pajisje dhe uniforma ushtarake.

 

Sipas Policisë, në rimorkio janë konfiskuar: 1 uniformë ushtarake kamufluese; 5 karikatorë me gjithsej 132 fishekë të armës së gjatë AK-47; 5 fatrolla për mbajtjen e karikatorëve; 4 palë pantallona ushtarake; 4 xhaketa ushtarake; 3 futrolla radiolidhjesh; 1 jelek antiplumb; 2 rripa ushtarakë; 1 jelek taktik; 1 çantë taktike; 1 helmetë e gjelbër; 1 kapelë dhe 1 dritë rrotative.

Sipas policisë, në vendngjarje kanë dalë njësitë relevante policore, ndërsa provat e konfiskuara i janë paraqitur Prokurorit të Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Policia ka bërë të ditur se deri më tani nuk ka persona të arrestuar. Dyshohet se pajisjet i përkasin një personi të shpallur në kërkim, i cili lidhet me rastin e Banjskës. Rasti po hetohet më tej nga institucionet e rendit.