Komiteti Olimpik i Kosovës ka organizuar sërish aktivitetin tradicional “Vrapimi i Gjeneratës së Pavarësisë”, ku morën pjesë të rinjtë e lindur në vitin 2008. Vrapimi u zhvillua në sheshet dhe hapësirat e caktuara nga komunat e vendit, raporton Ekonomia Online.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, tha se kjo gjeneratë ka lindur në Kosovën e lirë dhe demokratike, duke i ftuar të rinjtë të jenë pjesë aktive e ndërtimit të vendit.
“Ju të nderuar vajza dhe djem që keni lindur në vitin 2008 keni lind në paqe për fat të mirë nuk keni kaluar në ato kohë të vështirë. Por keni lind në Kosovën e lirë dhe demokratike dhe na ndihmoni me ndërtu Kosovë ashtu si kemi dëshirë. Na janë bashkangjitur djem e vajza nga e gjithë Kosova dhe kam dëshirë t’iu shoh gjithmonë kështu. Të gjithë jeni fitues sepse jeni këtu bashkë, mësoni dhe i ndihmoni njëri tjetrin. Së bashku ndërtojmë këtë vend”, ka theksuar Rama.
Presidenti i KOK-ut, Ismet Krasniqi, theksoi se ky aktivitet, i nisur në vitin 2012, synon të bëhet një traditë 100-vjeçare që lidh sportin me pavarësinë e Kosovës.
“Është kënaqësi që të hapim këtë aktivitet simbolik, vrapimi i gjeneratës së pavarësisë. Ky vrapim filloj nga viti 2012 ishte vizion i bukur i fuqishëm i lidhi një brez të tërë me sportin në krenari për pavarësinë. E vazhdojmë që të bëhet projekt 100 vjeçar. Ju djem e vajza jeni gjeneratë me fat është viti i shpalljes së pavarësisë është pjesë e identitetit tuaj. Po e kryeni këtë traditë që do të mbetet një histori e bukur përgjithmonë. Sporti edukon bashkon dhe edukon”, ka deklaruar Krasniqi.
Ndërsa presidenti i nderit i KOK-ut, Besim Hasani, e quajti këtë nismë unike në botë dhe u shpreh se të rinjtë e kësaj gjenerate janë dëshmitarë të shpalljes së pavarësisë, duke e mbajtur gjallë këtë traditë për brezat që vijnë.
“Ju jeni vet dëshmitarë sepse keni vrapuar kur keni qenë 4 vjeçar por do të vraponi tërë jetën sepse projekti është 100 vjeçar. Jam i lumtur që rifilloj ky aktivitet sepse është unik në botë nuk ka të ngjashëm, jeni gjenerata më me fat sepse për herë të parë Kosova shpalli pavarësinë. Ju do të rriteni nëpër vite por ju do të jeni për ta mbajtur gjallë këtë aktivitet”, shtoi ai.





Të tjera
Dr. Bujar Gashi, mjek i përkushtuar dhe zëri i qytetarëve në zgjedhjet lokale
Mbretëria e Bashkuar mbështet Kosovën dhe sigurinë në Ballkan
Torino është zgjedhja e duhur, i lumtur që u ribashkova me Ismajlin