Franca përgatitet ta njohë Shtetin e Palestinës më 22 shtator

Franca përgatitet ta njohë Shtetin e Palestinës më 22 shtator

Presidenti francez Emmanuel Macron i ka thënë presidentit palestinez Mahmoud Abbas në telefon se synon ta njohë Shtetin e Palestinës më 22 shtator, transmeton Anadolu.

Në një deklaratë të publikuar në platformën amerikane X, Macron deklaroi se ka folur me Abbasin në telefon, të cilit i ka thënë se, duke pasur parasysh situatën jashtëzakonisht urgjente në territoret palestineze, përfshirë Gazën, synon ta njohë Shtetin e Palestinës në New York më 22 shtator.

Duke theksuar se këtë do ta bëjë brenda fushëveprimit të një plani paqeje, Macron shton: “Ia përsërita kërkesat tona drejtuar Autoritetit Palestinez. Presidenti Abbas përsëriti vendosmërinë e tij për të zbatuar reformat e nevojshme për të rinovuar Autoritetin Palestinez dhe për të siguruar stabilitetin e Shtetit të ardhshëm të Palestinës”.

Macron theksoi se Franca do të vazhdojë të shoqërojë autoritetet palestineze në këtë rrugë dhe deklaroi se do të sigurojnë përmbushjen e angazhimeve të marra për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit.