Sot bëhen 27 vite që kur u vra Ministri i parë i Mbrojtjes së Republikës së Kosovës, kolonel Ahmet Krasniqi, i cili u qëllua pabesisht më 21 shtator 1998 pak para mesnate, në Tiranë.
Edhe 27 vite pas, kjo vrasje mizore vazhdon të mbetet ende një enigmë e pazbuluar, ani pse në vazhdimësi janë përmendur emra të ndryshëm të përfshirë në këtë rast.
Edhe pse vrasja ka ndodhur në kryeqytetin shqiptar, Shqipëria ka dështuar që ta hetojë dhe ta zbardhë vrasjen e Krasniqit. Po ashtu, në këtë drejtim, e pafuqishme është treguar edhe Kosova, ku drejtësia ka dështuar plotësisht në zbulimin e vrasjeve politike.
Shpresa te Specialja
Skënder Zogaj, njëri nga bashkëpunëtorët e kolonel Krasniqit, për “Bota sot” thotë se pa zbardhjen e vrasjeve politike që kanë ndodhur në Kosovë, liria dhe pavarësia nuk janë të plota.
“Është tepër e dhimbshme për popullin shqiptar të Kosovës, fakti që liria aq gjatë e munguar, na erdhi me sakrifica të mëdha, një pjesë e të cilave tepër të hidhura, madje të trishtueshme, për shkak të vëllavrasjeve të njerëzve më të mirë e më të vlefshëm. Këto vëllavrasje janë plagë të thella që kullojnë trishtim me pasoja të rënda. Sepse, derisa të mos zbardhen, nuk mund të ketë liri dhe as pavarësi të vërtetë”, shprehet Zogaj.
Sipas tij, rasti i vrasjes së kolonelit Ahmet Krasniqi është kulmi i së keqes, sepse ka ndodhur në Tiranë.
“Këtë po e shohim të gjithë, në Kosovën e mbetur në mesrrugë – ‘as e gjallë as e vdekur’ për faktin se, që një çerek shekulli, ende i ka në errësirë shpirtërat e mbi 1500 njerëzve të vrarë gjatë luftës nga okupatori serb dhe rreth 700 të vrarë pas luftës, sipas të gjitha gjasave nga dora e shqiptarëve gjakprishur! Prandaj përpjekja e disa koluareve që thonë se e ka vrarë Serbia, janë mashtrues, gënjeshtarë dhe qëllimkëqinj, janë hipokrizi, sepse, edhe nëse ka qenë e implikuar Serbia, ajo këtë e ka bërë përmes dorës së zezë shqiptare! Kjo është arsyeja pse që 26 vjet vrasësit e Ahmet Krasniqit dhe të qindra bijve e bijave nuk zbardhen! Nuk zbardhen vrasësit sepse janë të mbrojtur nga padronët e tyre që janë urdhëruesit e vrasjeve!”, shton Zogaj.
Ashtu si të gjithë, edhe Zogaj shpresat për zbardhjen e kësaj vrasjeje i ka te Gjykata Speciale.
Kurse, Osman Ferizi, ish-kryetar i Degës së LDK-së dhe Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” në Gjermani, thotë se vrasja e Ahmet Krasniqit ishte një vrasje e planifikuar dhe politike, vrasje kjo që tash e 27 vite ka mbetur pa u ndëshkuar. Krimi politik që mbeti i pandëshkuar.

“Kaluan 27 vite nga nata e zezë e 21 shtatorit 1998, kur në Tiranë u vra mizorisht kolonel Ahmet Krasniqi – Ministër i Mbrojtjes i Qeverisë së Kosovës në ekzil, oficer i shkolluar dhe një ndër figurat më të pastra të çështjes sonë kombëtare. Kjo nuk ishte thjesht një vrasje. Ishte një krim politik i planifikuar dhe i ekzekutuar nga struktura të errëta që, nën petkun e çlirimit, synonin pushtetin dhe pasurinë. Një skenar mafioz që kishte për qëllim zhdukjen e çdo figure të ndershme që pengonte kapjen e luftës dhe të shtetit”, thotë Ferizi për “Bota sot”.
Sipas tij, përgjegjësinë për vrasjen e kolonel Krasniqit e mban edhe shteti shqiptar.
“Që nga fillimi i viteve ’90, një rrjet i organizuar – i dalë nga ish-LPK dhe i mbështetur nga struktura të SHIK-ut në Shqipëri – shpifi, shantazhoi dhe përndoqi personalitetet e pastra të kombit. Në tubime, në media e në pamflete të tyre, shpalleshin ‘armiq’ Rugova, Bukoshi, Sali Çekaj, Tahir Zemaj, Ahmet Krasniqi, Enver Malsoku, Xhemajl Mustafa… e shumë të tjerë. Kjo propagandë kriminale nuk ishte fjalë e rastit: ajo përgatiste terrenin për atentatet, për listat e zeza dhe për likuidimet.
Vrasja e kolonelit ndodhi në kryeqytetin e Shqipërisë – Tiranë. Aty ku duhej të ishte i mbrojtur si ministër legjitim i një qeverie në ekzil, ai u godit pabesisht. Pa bekimin dhe pa përfshirjen e segmenteve shtetërore, kjo vrasje nuk do të ishte e mundur. Shqipëria e asaj kohe mban një pjesë të madhe të përgjegjësisë. Po aq sa mban edhe Kosova e pasluftës, e cila për dekada e la drejtësinë të kapur nga po ata që përfituan nga krimi, puçi, mafioziteti”, shton Ferizi.
“Nga lufta çlirimtare në mafie shtetërore! Njerëzit që urdhëruan e realizuan këtë krim, sot njihen nga të gjithë. Ata e kthyen UÇK-në nga një luftë e drejtë çlirimtare në mbulesë për interesa të pista. Me metoda mafioze ata zunë pushtetin, grabitën pasurinë, e zhytën shtetin në korrupsion dhe e bënë Kosovën peng të bandave politike”, shpjegon Ferizi.
Siç thotë Ferizi, vrasja e kolonel Ahmet Krasniqit është simbol i një tragjedie më të madhe, tradhtisë së idealit çlirimtar dhe instalimit të një mafie politike që vazhdon të sundojë edhe sot.
“Asnjëherë nuk u hetua seriozisht, asnjëherë nuk u dënua askush. Sepse drejtësia është mbajtur peng. Krimi dhe politika në Kosovë janë bërë një. Dhe për sa kohë ky krim mbetet i pandëshkuar, Kosova do të mbetet e robëruar nga hija e mafies politike. Kolonel Ahmet Krasniqi u vra sepse ishte i drejtë, sepse ishte profesionist, sepse kërkonte unitet dhe ushtri të vërtetë kombëtare. Kujtimi i tij është detyrim për ne që të mos heshtim. Pa zbardhjen e këtij krimi dhe pa thyerjen e mafies që sundon mbi shtetin, nuk ka të ardhme të pastër për Kosovën. Turp për ata që e vranë, që nxitën dhe paguan vrasës me pagesë dhe për ata që heshtën!”, përfundon Osman Ferizi, ish-kryetar i Degës së LDK-së dhe Shoqatës Kulturore “Sali Çekaj” në Gjermani, si dhe njëri nga luftëtarët e parë në Kosovë.




Të tjera
Vizitë në terren/ Kurti dhe Çeku inspektojnë projektet kapitale në rajonin e Prizrenit
Arsyet pse duhet të konsumoni gështenja gjatë vjeshtës
Enver Hoxhaj e Xhavit Haliti në tregun e Pejës, kërkojnë “çelës që e çmonton qeverinë, që ia heq shrafat”