Grabitet vila e trajnerit të Portugalisë, policia dyshon për një bandë të huaj – Ekonomia Online

Grabitet vila e trajnerit të Portugalisë, policia dyshon për një bandë të huaj

Shtëpia e trajnerit të kombëtares portugeze, Roberto Martinez, në qytetin bregdetar të Cascais, është grabitur të shtunën pasdite.

Në momentin e ngjarjes, Martinez dhe bashkëshortja e tij, Beth Thompson, ndodheshin jashtë banesës për disa orë.

Autorët e grabitjes kanë hyrë në banesë përmes një dritareje të thyer dhe kanë bastisur dhomat në kërkim të sendeve me vlerë.

Sipas raportimeve të mediave portugeze, ata kanë vjedhur ora dhe bizhuteri luksoze, me një vlerë të përllogaritur deri në 800 mijë euro.

Policia po heton pistën se grabitja mund të jetë kryer nga një bandë e huaj e specializuar në vjedhje të pronave luksoze, që mund të ketë pasur informacion paraprak për lëvizjet e çiftit.

Forca policore PSP po udhëheq hetimin, ndërsa ekspertët ligjore kanë ekzaminuar vendin e ngjarjes për gjurmë të mundshme. Deri tani nuk është zbuluar numri i saktë i sendeve të vjedhura.

Martinez, i cili nuk ka dhënë ende një koment zyrtar për ngjarjen, është trajner i Portugalisë që nga janari 2023.

Nën drejtimin e tij, Portugalia fitoi Ligën e Kombeve të UEFA-s në qershor 2025, pas një finaleje dramatike kundër Spanjës.