Sveçla: Rënia e Afrim Bunjakut u bë mburojë të sovranitetit të Kosovës

Rënia e Afrim Bunjakut u bë mburojë të sovranitetit të Kosovës

Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kujtuar sot dyvjetorin e sulmit terrorist në veri të Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku. Ai ka theksuar se ky sulm, i organizuar dhe mbështetur nga Serbia, kishte synim aneksimin e veriut të vendit. Sveçla ka falënderuar zyrtarët policorë për guximin dhe profesionalizmin e treguar gjatë përballjes me sulmin, transmeton KosovaPost.

“Ky ishte plani i errët i 24 shtatorit të cilin e shpërfaqi dhe e dështoi Rreshteri Afrim Bunjaku, rënia e së cilit u kthye në mburojë të sovranitetit e integritetit territorial të vendit tonë. Ky akt e lartëson Hero Afrimin. E bën atë të paharrueshëm mes nesh dhe udhërrëfyes në rrugën që kemi përpara”, ka thënë Sveçla.

“Me moral të lartë, guxim e profesionalizëm zyrtarët tanë policor dolën fitimtarë përballë një plani e një artilerie të tërë të Serbisë. U jam mirënjohës për këtë dhe për shërbimin e përditshëm në mbrojtje të Republikës sonë e qytetarëve tanë”, ka shtuar ai.

Xhelal Sveçla ka potencuar se drejtësia për vrasjen e rreshterit Bunjaku dhe për organizimin e sulmit terrorist është e domosdoshme.

“Drejtësia për vrasjen e tij, ashtu si edhe për organizimin e gjithë sulmit terrorist, është e domosdoshme. Kjo jo vetëm për të lehtësuar dhimbjen tonë kolektive, por edhe si garancë që akte të tilla të mos përsëriten më asnjëherë”, ka deklaruar ministri në detyrë i cili ka mbyllur mesazhin dujke nderuar të gjithë pjesëtarët e rënë në krye të detyrës.

“Lavdi e përjetshme Heroit Afrim Bunjaku! Lavdi të gjithë pjesëtarëve të rënë në krye të detyrës! Lavdi të rënëve për liri!”, përfundoi Sveçla.