Republikanët kërkojnë sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Republikanët kërkojnë sanksione më të ashpra ndaj Rusisë

Sapo u kthye nga një vizitë e një delegacioni i Kongresit të SHBA-së në Ukrainë, derisa një republikan i lartë tha se është më optimist se vendi mund të ketë sukses në luftë me mbështetjen e duhur nga SHBA-ja dhe aleatët e tjerë, dhe i bëri thirrje Kongresit të miratojë sa më shpejt një projektligj të bllokuar prej kohësh për sanksione ndaj Rusisë.

Përfaqësuesi Michael Turner nga Ohio, anëtar i Komitetit të Shërbimeve të Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve, i cili udhëhoqi delegacionin dypartiak në Ukrainë, Poloni dhe Gjermani, po i bën thirrje kryetarit të Dhomës, Mike Johnson, të vendosë shpejt në votim një propozim për sanksione që ka mbështetje të gjerë. Masa do të vendoste tarifa të larta ndaj vendeve që blejnë naftë, gaz dhe eksporte të tjera nga Rusia, si mënyrë për të frenuar të ardhurat që po ushqejnë prodhimin industrial dhe makinerinë e saj të luftës, raporton AP.

“Presidenti Donald Trump ka të drejtë. Ukraina mund të arrijë sukses në rimarrjen e territoreve nga Rusia me mbështetjen e duhur, dhe ky është kushti”, tha Turner.

“Ajo që shihni në terren në Ukrainë është se kjo është vërtet çështje matematike,” tha Turner në një konferencë në Uashington.

“Ekonomia e Rusisë po u lejon atyre të prodhojnë armët e luftës, dhe ato armë po shkaktojnë fushëbeteja vdekjeprurëse në Ukrainë,” shtoi ai. “Dhe mënyra e vetme për të ndikuar në këtë është t’i mbyllësh rubinetin ekonomisë ruse, kjo do të ndikojë në aftësinë e tyre për të zhvilluar luftën në Ukrainë”.

Ky presion i fortë nga një ligjvënës republikan i lartë i jep një shtysë të re projektligjit për sanksione, i cili ka qëndruar i bllokuar për muaj të tërë në Kongres duke pritur miratimin e Administratës Trump, pavarësisht mbështetjes së gjerë. Pothuajse të gjithë senatorët dhe shumë anëtarë të Dhomës janë bashkuar me projektligjin, një konsensus i rrallë dypartiak në Kongresin amerikan.

Projektligji do të vendoste, sipas ligjvënësve, sanksione shkatërruese, tarifa deri në 500% për mallrat nga vendet si Kina dhe India, që blejnë naftë, gaz dhe eksporte të tjera nga Rusia. Udhëheqës të tjerë janë treguar hezitues, përfshirë kryeministrin hungarez, Viktor Orban, i cili tha të premten se heqja dorë nga energjia ruse do të ishte një “katastrofë” për ekonominë e vendit të tij./rtk