Si arriti Kosova gjatë viteve 90’ta, pa shtet, ta marrë mbështetjen e senatorit Bob Dole?

Lidershipi kosovar i viteve 90-ta, pa ambasadë në Uashington, derisa po përballeshin me zullumin e regjimit të Millosheviqit, kishte arritur që paraprakisht ta sillte në Prishtinë një prej figurave më të rëndësishme politike në Amerikë.

Senatori Robert Joseph Dole, i njohur si Bob Dole, vizitoi Kosovën për të parë nga afër vuajtjet e shqiptarëve nën Jugosllavi.

Protestat popullore jashtë Hotelit Grand dëgjoheshin brenda diskutimeve të lidershipit kosovar me senatorin amerikan Bob Dole.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, e kishte quajtur senatorin Dole “Engjulli Gabriel” për shqiptarët e Kosovës.

Derisa takimi po zhvillohej në Hotelin Grand, jashtë policia serbe mori një aksion për ta zmbrapsur masën.
Në mesin e protestuesve ishte edhe Faik Rexhepi që për dallim prej tjerëve s’luajti vendi, duke mundësuar realizimin e një fotografie epike për t’u skalitur përgjithmonë në vepër arti si histori për brezat e rinj.

Senatori Dole doli jashtë për t’i parë me sytë e tij këto skena dhune që po i bënte regjimi i Millosheviqit.

Bob Dole, atëkohë një prej figurave më të mëdha në Partinë Republikane, garoi në zgjedhje presidenciale të vitit 1996 kundër William Jefferson Clinton, edhe ky një prej miqve më të mëdhenj të Kosovës, i njohur si Bill Clinton.

Ndërsa sot, me ambasadë në Uashington, Kosova gjendet nën sanksione dhe penalizohet nga Amerika duke pezulluar dialogun strategjik, si pasojë e veprimeve të Qeverisë Kurti.

Më 12 shtator, Ambasada e SHBA-së në Kosovë, njoftoi për pezullimin e dialogut strategjik me Kosovën për shkak të veprimeve të kryeministrit Albin Kurti.