Kosova po vazhdon të thellojë varësinë nga mallrat e importuara, duke e çuar deficitin tregtar në një nivel të lartë shqetësues. Shteti ynë ka importuar mallra në vlerë mbi pesë miliardë euro, vetëm nga muaj janar deri në fund të shtatorit të këtij viti. Vlera e importit në Kosovë është rritur me rreth gjysmë miliardi euro në periudhën janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Krahas importit në vlerë 5 miliardë e 66 milionë euro, gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, sasia e mallrave të importuara është rritur për rreth 350 milionë kilogramë në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit 2024. Ani se sasia e përgjithshme e mallrave për këtë periudhë mbetët më e ulët se vlera e tyre.
Sa i përket sasisë së mallrave të importuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova importoi mallra mbi 4.2 miliardë kg, 3.9 miliardë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 3.7 miliardë kg në janar – shtator 2023 dhe 3.5 miliardë kg mallra në janar-shtator 2022.
Përveç kësaj, sfidë tjetër për vendin tonë është edhe ulja e nivelit të vlerës së mallrave të eksportuara. Sipas të dhënave të Doganës së Kosovës, vlera e eksportit ka shënuar rënie me rreth 30 milionë euro gjatë nëntëmujorit të vitit 2025, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ndërkaq, Gjermania, Turqia, Kina, Shqipëria dhe Italia janë ndër shtetet kryesore importuese në periudhën e parë të vitit 2025.
Rritja e vlerës së mallrave të importuara dhe rënia e vlerës së atyre të eksportuara po konsiderohen shqetësuese nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) dhe Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë (DhTIK).
Kryetari i OEK-ut, Lulzim Rafuna, thekson për KosovaPress, se sasia e mallrave të importuara është më e vogël se vlera e tyre, për shkak se, siç shpjegon ai, bashkë me mallrat e importuara, Kosova importon edhe inflacionin nga vendet e tjera.
Krahas kësaj, Rafuna thotë se është shqetësues fakti i rënies së vlerës së eksportit në Kosovë.
Rafuna: Sasia është më e vogël sesa vlera, për arsye se dihet që ne e importojmë inflacionin dhe çmime
“Dyjat janë rritur. Është rritur sasia dhe vlera. Sasia është më e vogël sesa vlera. Për arsye se dihet që ne edhe e importojmë inflacionin dhe çmimet e ndikojnë sepse gjithmonë kur thuhet që janë rritur të hyrat në buxhet të shtetit, asnjëherë nuk tregohet që është rritur edhe vlera e mallit të importuar. E kemi pasur 13 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Kjo e dëshmon që është rritur vlera e mallrave të cilat i importojmë. Bashkë me këtë e kemi importuar edhe inflacionin. Inflacioni në Kosovë është rritur me 4.5 për qind dhe sipas ASK-së, faktori i pari që ka ndikuar ka qenë rritja e çmimit të energjisë elektrike. Por, po ashtu edhe çmimet e produktit bazë , që të gjitha këto ne i importojmë. Kur i importojmë, i bëjmë me çmim më të lartë. Ndërsa, si sasi është me vogël rreth 6 për qind. Por, është shqetësuese sepse eksporti është duke na rënë. Eksporti në të dhënat e fundit të pjesës së parë të këtij, ne e shohim që e kemi pasur një rënie prej 1.5 për qind. Ndërsa, nëse e shohim historikisht, eksporti shkon rreth 800 milionë. Ende nuk e kemi pasur 1 miliardëshin”, thotë Rafuna.
Ahmeti nënvizon se ka disa produkte që vijnë në sasi më të vogla, por që kanë një vlerë shumë më të lartë për shkak të rritjes së çmimit në vendet e origjinës.
Ky faktor, sipas tij, ka një ndikim të drejtpërdrejtë në çmimet që arrijnë në tregun kosovar, duke i bërë ato më të shtrenjta për konsumatorët.
Ahmeti potencon se rënia e vazhdueshme e eksporteve ka qenë gjithmonë një shqetësim, pasi që sipas tij kjo pasqyron situatën e vështirë të bizneseve vendore.
Drejtori i DhTIK-ut, Kushtrim Ahmeti thotë se bizneset në përgjithësi nuk kanë marrë mbështetje të mjaftueshme nga institucionet për t’u rritur dhe fuqizuar në treg.
Shumë prej bizneseve, sipas tij, kanë ndaluar investimet që kishin planifikuar ose janë të detyruara të shesin prodhimin e tyre jashtë vendit.
Ahmeti nënvizon se shumë kompani po transferojnë prodhimin jashtë Kosovës, pastaj të njëjtin produkt po e importojmë në vendit tonë.
Ahmeti: Ne po e përzëmë produktin tonë, po e qojmë në Maqedoni dhe në Shqipëri
“Bizneset në përgjithësi nuk e kanë pas një mbështetje nga institucionet për tu rritur dhe për tu fuqizuar në treg, por më shumë me këto veprime sidomos dhe me heshtjen e vazhdueshme ndaj këtyre veprimeve nga institucionet e kanë pasur një goditje të vazhdueshme ndaj bizneseve të tyre që e kanë rrezikuar shumë. Shumë prej tyre tashmë ose i kanë ndërprerë investime që i kanë pasur për t’i bërë, e të tjerat po i shikojnë mundësinë për të ikur me gjithë prodhimin nga vendi jonë. Ne po e përzëmë produktin tonë ose biznesin tonë. Po e qesim në Maqedoni dhe në Shqipëri dhe ata prapë i njëjti produkt po vije në formë importi”, potencon Ahmeti.
Bazuar në të dhënat që kë dërguar Dogana e Kosovës për KosovaPress, vlera e mallrave të importuara gjatë nëntëmujorittë këtij viti, ka qenë mbi 845 milionë euro më e lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Ndërkaq, Kosova ka regjistruar një rritje prej mbi 947 milionë euro në vlerën e mallrave të importuara gjatë periudhës janar-shtator të këtij viti, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
Megjithatë, gjatë kësaj periudhe, vlera e eksportit ka pësuar një rënie prej 16 milionë eurosh në vitin 2025, në krahasim me vitin 2022.
Sa i përket sasisë së mallrave të eksportuara, në këtë periudhë të vitit 2025, Kosova eksportoi mallra mbi 563 milionë kg, 567 milionë kg gjatë periudhës së njëjtë 2024, 670 milionë kg në janar – shtator 2023 dhe 657 milionë kg mallra në janar-shtator 2022.
Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, pesë vendet kryesore nga të cilat Kosova ka importuar më së shumti gjatë viteve 2023 dhe 2024 janë: Turqia, Gjermania, Kina, Shqipëria dhe Greqia.
Ndërkaq, sa i përket eksporteve, shtetet kryesore në të cilat Kosova ka eksportuar mallra gjatë vitit 2024 janë : Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjermania, Zvicra dhe shtetet e tjera të Bashkimit Evropian.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit