Rusia po bëhet “kërcënim gjithnjë e më i madh” për NATO-n, tha të hënën ministri i Mbrojtjes i Gjermanisë, Boris Pistorius.
Pistorius e tha këtë gjatë një vizite në Poloni dhe Lituani, në një kohë kur tensionet janë të larta në krahun lindor të aleancës ushtarake, për shkak të shkeljeve ajrore nga dronët rusë.
Duke folur në Forumin e Sigurisë në Varshavë, Pistorius tha se Moska po “teston aleatët e NATO-s me një shpeshtësi dhe intensitet në rritje”.
Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po “përpiqet me qëllim ta minojë sigurinë evropiane dhe integritetin territorial të kombeve evropiane“, theksoi Pistorius.
Por, NATO-ja ka “reaguar ndaj provokimeve të Rusisë me qartësi, unitet, vendosmëri dhe maturi”, shtoi ministri gjerman.
“Ne nuk do të biem në kurthin e Putinit të përshkallëzimit të vazhdueshëm. Po ruajmë gjakftohtësinë duke qëndruar të palëkundur dhe të vendosur”, theksoi ai.
Pistorius pritet gjithashtu të bisedojë për të ardhmen e marrëdhënieve të Ukrainës me Evropën në bisedime të nivelit të lartë në kryeqytetin polak.
Incidenti u pasua nga shkelje të hapësirës ajrore të NATO-s në Rumani dhe Estoni.
“Kur është e nevojshme, forcat e NATO-s janë të gatshme, ashtu si avionët e aleatëve tanë në Baltik që u ngritën dhe shoqëruan avionët rusë jashtë hapësirës ajrore të Estonisë”, tha Pistorius.
Duke folur në këtë konferencë, kryeministri polak, Donald Tusk, tha se lufta e Rusisë në Ukrainë është pjesë e një projekti politik për nënshtrimin e popujve të tjerë.
“Kjo luftë është edhe lufta jonë”, deklaroi Tusk.
“Nëse e humbim këtë luftë, pasojat do të ndikojnë jo vetëm mbi gjeneratën tonë, por edhe mbi brezat e ardhshëm në Poloni, Evropë, Shtetet e Bashkuara dhe kudo tjetër në botë”, shtoi ai. / REL
Të tjera
Tani është koha e tij, hani rrush çdo ditë – Ja benefitet për trupin
Pas 9 nëntorit trajtojmë çështjet tjera, tani fokusi te fitorja
Vendimet e mëdha s’janë asnjëherë të lehta, interesi i qytetarëve mbi gjithçka