Arbër Hoxha shkëlqen para ndeshjes me Serbinë, trajneri flet me superlativa – Ekonomia Online

Arbër Hoxha shkëlqen para ndeshjes me Serbinë, trajneri flet me superlativa

Dinamo Zagreb e mposhti Slaven Belupon me rezultatin 4-1 dje në kampionatin kroat. Protagonist ishte Arbër Hoxha, që në minutat e fundit të pjesës së parë shënoi dhe më pas asistoi për t’i dhënë avantazhin e dyfishtë Dinamos së Zagrebit.

Tashmë asgjë nuk është rastësi për sulmuesin e Kombëtares, që në javën e kaluar shënoi ndaj Hajduk Split. Trajneri aktual i klubit kroat, por edhe i mëparshmi, kanë folur për Arbër Hoxhën.

“Pas stërvitjeve të para në fazën përgatitore i thashë të ishte i duruar se do të luante, dhe më vjen mirë që kisha të drejtë për të. Ka shpërthim, di të shënojë, të dalë në kundërsulm”, u shpreh pas fitores trajneri i Dinamo Zagreb, Mario Kovaçeviç.

Ndërkohë ish-trajneri i klubit kroat, Sergej Jakiroviç, ishte ai që këmbënguli për ta transferuar sulmuesin shqiptar te Dinamo Zagreb. Jo vetëm kaq, pasi ka konfirmuar edhe zërat e merkatos që tregonin për interesim të Hull Sitit.

“Çfarëdo që të them për Arbërin është si të harxhoj fjalët, sepse e njoh shumë mirë atë djalë dhe ishte iniciativa ime që erdhi te Dinamo Zagreb. Sa herë më kanë tallur kur e kam quajtur ‘raketë’, por unë e di mirë çfarë kam thënë dhe qëndroj pas çdo fjale.

Ai është një krah i vërtetë për sulmin. Agresiv, i shpejtë dhe me një goditje të shkëlqyer, me të cilën mund të zgjidhë çdo situatë në të cilën ndodhet. Në çdo bisedë kemi qenë maksimalisht të hapur dhe të sinqertë, dhe ai ka virtytet e një sportisti të vërtetë.

Dua të theksoj se ai vetë kishte dëshirë të madhe për të ardhur te Dinamo Zagreb, më tha se do të vinte për fazën përgatitore sidoqoftë dhe do të nënshkruante çfarëdo të ishte, vetëm që të bëhej pjesë e jona. Do të veçoja edhe faktin se një pjesë të madhe të punës e ka bërë Robert Markulin nga Slaven Belupo, të cilin e falenderoj edhe në këtë rast, sepse Dinamo Zagreb sot ka një lojtar me karakter dhe cilësi të shkëlqyera.

Personalisht doja ta sillja Arbërin te Hull Siti këtë verë, por për shkak të bllokimit të merkatos nuk ishte e mundur. Kjo ju tregon mjaftueshëm se çfarë mendoj për të.

Shikoni, për krahasim, çfarë narrative krijohet kur flitet për paraqitjet e tij. Gjithçka që bën analizohet nga fundjava në fundjavë. E megjithatë, për minuta të luajtura, ai ka statistika shumë të mira dhe gjithmonë arrin të nxjerrë diçka në fushë. Nëse nuk ka probleme me dëmtimet, ai mund ta mbajë Dinamon në shpinë dhe të bëjë diferencën në pjesën e mbetur të sezonit, në të dy frontet. Dhe unë nuk kam aspak dyshime për këtë”, e mbyll fjalën e tij trajneri i Hull Sitit.