Në qershor euroja ra në nivelin më të ulët historik prej 98,1 lekësh

Gjatë periudhës, janar-qershor 2025, leku u mbiçmua kundrejt valutave kryesore, bën të ditur Banka e Shqipërisë.

Sipas BSH-së, mbiçmimi i lekut ishte më i dukshëm në muajt prill-qershor, gjatë të cilëve vëllimi i flukseve valutore nga turizmi ishte më i lartë.

Kursi lek/euro rezultoi mesatarisht 98,7 lekë për 1 euro në gjashtëmujorin e parë të vitit, nga 99,1 lekë në gjashtëmujorin e kaluar dhe 102,3 lekë në gjashtëmujorin e njëjtë një vit më parë.

Muajt e parë të vitit 2025 regjistruan një frenim të nënçmimit të mëtejshëm të monedhës evropiane, e cila në muajin mars u kuotua me mesatarisht 99,2 lekë.

Gjatë kësaj periudhe, Banka e Shqipërisë ka organizuar edhe një ankand të blerjes së valutës me afat tremujor.

Në tremujorin e dytë të këtij viti Banka Qendrore bleu gjithsej 161,6 milionë euro në tregun e brendshëm valutor. Nga këto, 122,1 milionë euro ishin blerje të realizuara nëpërmjet ankandeve të programuara, në funksion të rritjes së rezervës valutore, ndërsa 72,7 milionë euro ishin blerje direkte, në përmbushje të objektivave të politikës monetare dhe stabilitetit financiar.

Më datë 9 maj të këtij viti, Banka e Shqipërisë rifilloi blerjet direkte të valutës në treg, me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të lekut në kursin e këmbimit me euron.

Duke shtuar edhe 33,2 milionë euro të blera në ankandet e tremujorit të parë, vlera totale e blerjeve për 6-mujorin e parë 2025 ka arritur në 194,8 milionë euro.