Selektori i Zvicrës flet për lojtarin që e la Shqipërinë

Selektori i Kombëtares së Zvicrës, Murat Yakin e ka mbajtur sot një konferencë për shtyp para ndeshjeve të tetorit, ndërkohë që ka folur edhe për prurjen e re të Helvetikëve, Adrian Bajrami.

Mbrojtësi hoqi dorë nga Kombëtarja shqiptare për t’iu bashkuar Zvicrës dhe kjo e fundit e ftoi menjëherë pas “traumave” që i pësoi së fundmi me largimin e disa lojtarëve, përfshirë këtu Leon Avdullahun e Albian Hajdarin.

Trajneri i zviceranëve thotë se mbrojtësi i Luzernit e meriton një shans për t’i shfaqur vlerat e tij në ekipin e ri.

“Ai meriton një shans për ta provuar dhe treguar veten në ekipin kombëtar”, thotë Yakin, i cili u shpreh se mbrojtësi shqiptar ishte i qartë dhe i vendosur për të luajtur për ekipin e tij, duke hequr dorë përfundimisht nga Kuqezinjtë.