Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e falsifikimit të votave në zgjedhjet e vitit 2021, ku po akuzohen Përparim Përvetica, Arbër Krasniqi, Ilirjan Hysenaj dhe Sahit Mataj, dëshmitarja Vlera Leti deklaroi se njohu vetëm të akuzuarin Ilirjan Hysenaj, pasi kishte punuar me të gjatë zgjedhjeve.
Ajo tha se Hysenaj kishte asistuar më shumë tek grupi ku ajo kishte qenë, por ndihmonte edhe grupet e tjera nëse ishte e nevojshme. Dëshmitarja shtoi se i akuzuari Hysenaj plotësonte formularët zyrtarë si kryesues dhe i vuloste dhe nënshkruante rezultatet në fund të listës, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në pyetjen e mbrojtësit të Sahit Matajt, avokatit Driton Musliu, nëse një person mund të jetë edhe numërues edhe kryesues, dëshmitarja u përgjigj: “aty çka s’ka ndodhur”. Ajo tha se sipas rregullores nuk e di nëse dikush mund të punojë në të dyja pozitat, por praktikisht kjo ka ndodhur kur numëronte edhe kryesuesi.
Dëshmitarja shtoi se numëruesit dhe kryesuesi nuk kanë qëndruar pranë kutive të fletvotimeve gjatë gjithë kohës, por nuk beson se ka pasur hapësirë për manipulim, pasi ka pasur vëzhgues. Ajo nuk di nëse Hysenaj ka ndërhyrë në numra, por ai ishte i fundit që nënshkroi formularët.
Ndryshe, më 13 nëntor 2023 Gjykata e kishte veçuar procedurën penale ndaj të akuzuarve Granit Halilaj dhe Dardan Gashi pasi që të njëjtit kishin lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë.
Prandaj, ndaj Halilajt më 14 nëntor 2023 edhe është bërë shpallja e aktgjykimit, duke u dënuar me 1 vit burgim me kusht për veprën penale falsifikim i rezultateve të votimit.
Kurse, Gashi është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, në mënyrë që për 12 muaj të mos kryejë ndonjë vepër tjetër penale, si dhe dënim plotësues 12 muaj ndalim i ushtrimit të profesionit në administratë publike.



Të tjera
Ushqimet që duhet t’i ketë fëmija në çantë
NATO që dy vite kërkon që sulmuesit e Banjskës të sillen para drejtësisë
Njerëzit që harrojnë shpesh janë më inteligjentë