“SHIK-u i tregonte si të vepronte me Rugovën”/ Akuza e rëndë ndaj Thaçit: Vrasjet nuk janë bërë pa dijeninë e tij

Profesori dhe doktori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot” ka thënë se ajo që po ndodh me dëshmitarët mbrojtës të Hashim Thaçit në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë, është vërtet një skandal i pamenduar dhe ndoshta unik në rastin e proceseve gjyqësore të këtij lloji.

“Ata dëshmitarë që kanë folur deri tani, duke filluar me James Rubin dhe deri te ish-zëvendës shefi i UNMIK-ut, kanë deformuar karakterin dhe personalitetin e të akuzuarit, Hashim Thaçi. Thelbi është se në Gjykatën e Hagës po mohohet se ‘Hashim Thaçi ka qenë udhëheqës politik ose ushtarak, apo politiko-ushtarak i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës’! Po flitet se ai ‘nuk ka pasur rol’, ‘nuk është përfillur nga komandantët e UÇK-së’, ‘nuk ka pasur kompetenca’, ‘ka qenë për kompromis’, pra nuk ka qenë i dhunshëm. Madje edhe se ‘ka qenë udhëheqës civil’, duke shënuar faktin se Hashim Thaçi krijoi një qeveri të përkohshme dhe u vetëquajt kryeministër”, thotë Bytyçi.

Sipas tij, nga dëshmitë në Speciale po lindin shumë dilema dhe paqartësi që lidhen me Hashim Thaçin.

Image
Prof. Dr. Enver Bytyçi

“Thaçi e krijoi qeverinë e përkohshme në prill 1999, para se Kosova të çlirohej. Si mund të zgjidhet dikush kryeministër i një qeverie, qoftë kjo edhe e përkohshme, kur ai ‘nuk përfillej nga komandantët’?! Duhet sqaruar gjithashtu kush i shkroi dhe i urdhëroi të shpalleshin komunikatat e ekzekutimit të kundërshtarëve politikë, përfshirë presidentin e vendit, Dr. Ibrahim Rugovën! Dhe më tej akoma, a ishte qëllimi që bashkë me Rugovën të likuidohej pavarësia dhe shtetësia e Kosovës, pasi që Rugova nuk bënte kompromise, ndërsa Hashim Thaçi i bënte kompromiset, gjë të cilën e dëshmuan dëshmitarët e tij?!”, shprehet Bytyçi.

Më tej, ai thotë se Thaçi deshi ta ndante Kosovën përmes korrigjimit ose rishikimit të kufijve me Serbinë.

“Ishte kulmi i kompromiseve të tij në favor të projekteve serbe dhe ruse në Kosovë. Thaçi shkoi në qershor 1999 dhe ndihmoi KFOR-in francez që të vendoset te Ura e Ibrit dhe ta ndante de facto Kosovën. Nuk po radhis fakte të tjera. Ju thoni se tani në Hagë po mohohet roli i Thaçit si komandant i UÇK-së, ndërkohë që ai është mburrur me këtë rol gjatë gjithë kohës deri më sot. Po kjo është e vërtetë. Ai është mburrur kur ishte i lirë dhe po e mohon pjesëmarrjen e tij në luftë, thjesht për t’i ikur përgjegjësisë për ato që ai akuzohet në Hagë. Madje ka sponsorizuar dikur edhe deklarime të ndonjë personaliteti apo publicisti si ajo ‘Thaçi është për Kosovën siç ishte George Washingtoni për Amerikën’! Tani po na thotë se ‘nuk jam George Washingtoni i Kosovës’! Një kundërthënie e pamenduar më parë. Po ja që kemi edhe të tilla raste, të cilat shtojnë rastet specifike të studimeve politike. Hashim Thaçi po mohon vetveten. Në fakt është po ai që ka qenë, mashtrues, falsifikator, uzurpator, siç ishte kur e shpalli veten në kohën e luftës si kryeministër i Kosovës”, shpjegon Bytyçi.

Bytyçi thotë se vrasjet politike në Kosovë nuk janë bërë pa dijeninë e Hashim Thaçit.

“Aq ‘paqësor’ ishte Hashim Thaçi, sa mbante në xhep lista me emrat e profesorëve dhe, kur donte t’i largonte nga puna, pyeste rektorët nëse ata i kishin të punësuar apo jo! Në këto lista ishin profesorët kritikë të tij dhe ai kujdesej që të largoheshin nga sistemi mësimdhënës! Deri në këtë pikë shkonte ‘kompromisi’ dhe ‘toleranca e tij’ brenda kuadrit të shoqërisë në Kosovë!”, përfundon profesor, doktor Enver Bytyçi.

Kujtojmë se në Gjykatën Speciale ka nisur faza e dytë e gjykimit të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, ku tani radhën e kanë dëshmitarët e mbrojtjes.