LIVE: Osmani akuzon Vuçiqin se tentoi të prishte takimin e Bërdo-Brionit

Osmani akuzon Vuçiqin se tentoi të prishte takimin e Bërdo-Brionit

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, akuzoi presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, se tentoi “të prishte takimin” e Bërdo-Brionit që u mbajt në Durrës, por shtoi se në fund udhëheqësit e Ballkanit Perëndimor me unanimitet miratuan një deklaratë të përbashkët të samitit.

Pas samitit, Osmani tha për transmetuesin publik shqiptar se Vuçiq, iu drejtua samitit me “ofendime dhe arrogancë”.

“…natyrisht që për çdo propagandë që Vuçiqi synonte të prezantonte para pjesëmarrësve, ne si Republikë e Kosovës kishim argumentet tona të fuqishme, argumente në anën e së drejtës dhe argumente të cilat janë fuqizuar e mbështetur edhe nga e drejta ndërkombëtare, nëpërmjet mendimeve të GJND-së”, tha Osmani, duke iu referuar vendimit të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që vendosi se me shpalljen e pavarësisë së Kosovës më 2008 nuk ishte shkelur ligjin ndërkombëtar.

Serbia refuzon ta pranojë pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron shtetin pjesë të saj.

“Ai [Vuçiq] mori rikonfirmimin tonë të përbashkët që kjo shënon një bashkëpunim që ka për qëllim mbrojtjen tonë dhe përgjigja ime ishte që në tërë historinë e ekzistencës sonë si komb ne asnjëherë nuk e kemi sulmuar askënd, s’e kemi pushtuar askënd, por gjithmonë e kemi mbrojtur dhe do të vazhdojmë ta mbrojmë integritetin tonë territorial. Aleanca tona janë aleanca mbrojtëse për të na mbrojtur nga rreziqet që na vijnë nga të tjerët. Për Kosovën, rreziku na vjen nga Serbia kështu që ne do të vazhdojmë ta fuqizojmë ushtrinë tonë”, tha Osmani.

Udhëheqësit e vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën të hënën në Durrës të Shqipërisë për Samitin rajonal Bërdo-Brioni, duke zhvilluar bisedime për të ardhmen e rajonit në Bashkimin Evropian (BE).

Duke folur në hapje të seancës plenare të këtij tubimi, presidenti i Shqipërisë si mikpritës i ngjarjes, Bajram Begaj, tha se Tirana e mbështet dialogun rajonal, me fokus bashkëpunimin dhe procesin e integrimit evropian.

“Për, ne bashkëpunimi rajonal mbetet instrumenti kryesor i integrimit të rajonit në BE. Duhet të vazhdojmë t’i shkëmbejnë përvojat dhe njohuritë tona për të pasur rezultate akoma më të prekshme nga ky proces i Bërdo-Brionit”, tha Begaj.

Takimi u përqendrua në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.

Derisa Kosova ngel vendi i vetëm nga rajoni që ende nuk e ka statusin e vendit kandidat për në BE, Shqipëria ka shënuar përparim të madh kohëve të fundit duke i hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim, me vendet e tjera që kanë ngecur në këtë pikë.

Pas samitit, Osmani tha se procesi i anëtarësimit në BE nuk bazohet në merita, sepse, po të ishte kështu, tha ajo, Kosova “do të ecte shumë përpara dhe tani do të ishim shumë afër anëtarësimit. Por, fatkeqësisht zhvillimet politike në disa shtete anëtare po e bllokojnë këtë”.

Kosovës po i kushton mungesa e një Kuvendi të ri, pas zgjedhjeve të shkurtit, pasi i duhet ta ratifikojë marrëveshjen e nevojshme fillimisht, ndërsa Bosnja s’e ka dorëzuar ende agjendën e kërkuar të reformave tek autoritetet evropiane.

Kosova është përfaqësuar nga presidentja Vjosa Osmani në këtë samit, ku morën pjesë edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ai i Malit të Zi Jakov Milatoviq, anëtarët e Presidencës së Bosnjës, si dhe presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Silianovska-Davkova.

Samiti u zhvillua në një moment kyç për Ballkanin Perëndimor, ku përveç temës së integrimit evropian, u trajtuan edhe çështje që lidhen me forcimin e bashkëpunimit rajonal dhe ruajtjen e stabilitetit politik në rajon.

Ky samit gjithashtu i solli Osmanin dhe Vuçiqin përballë për herë të parë pas një shkëmbimi akuzash ndaj njëri-tjetrit kohëve të fundit në lidhje me sigurinë në rajon.

Osmani tha në fundjavë se “thirrjet e pamatura” të presidentit serb për luftë janë jehonë e rrezikshme e kapitujve më të errët të historisë së kohëve të fundit.

Reagimi i Osmanit erdhi pasi Vuçiq tha të premten se “të gjithë po përgatiten për luftë” dhe se Kosova po “përpiqet ta përdorë këtë kohë para luftës” për t’i bindur shumicën e shteteve evropiane dhe vendet e NATO-s t’ia mbajnë anën Prishtinës.

Edhe Vuçiq po i referohej komenteve të mëparshme të presidentes kosovare kur foli për luftën, pasi javën e kaluar në samitin e Komunitetit Politik Evropian në Danimarkë, Osmani i kishte bërë thirrje Evropës t’i parandalojë “taktikat agresive dhe destabilizuese” të Serbisë ndaj fqinjëve të saj.

Takimi po organizohet nga presidentja e Sllovenisë, Natasha Pirc Musar, dhe presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, dy prej nismëtarëve të samitit, nën udhëheqjen e presidentit shqiptar Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.

Kjo nismë rajonale, e nisur në vitin 2013 nga Sllovenia dhe Kroacia, synon të forcojë dialogun dhe bashkëpunimin mes vendeve të rajonit, si dhe të lehtësojë përpjekjet e tyre drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. / REL

Osmani thotë se disa shtete të BE-së po bllokojnë heqjen e masave ndaj Kosovës

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani është prononcuar për media, gjatë Samitit të Brdo-Brijunit në Durrës.

E para e shtetit foli për sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, dhe tha se disa shtete anëtare janë bllokuese të heqjes së këtyre masave.

“Reformat e thella që institucionet tona kanë ndërmarrë përgjatë viteve të fundit në mënyrë që të plotësohen të gjitha kushtet që ne të ecim përpara, përfshirë edhe linjëzimin 100 për qind me politikën e jashtme dhe sigurisë të Bashkimit Evropian”.

“Fatkeqësisht përkundër të gjitha këtyre reformave, Kosova mbetet ende nën sanksionet e Bashkimit Evropian, për të cilat askush nga shtetet anëtare nuk është i gatshëm të jap një arsye se pse janë ende në fuqi, edhe pse të gjitha kushtet që ishin vendosur me Marrëveshjen e Bratisllavës janë plotësuar, dhe njëkohësisht aplikacioni ynë është dorëzuar për anëtarësim qysh në vitin 2022. Deri tani për shkak të disa shteteve anëtare as nuk është mandatar Komisioni Evropian për t’u marr me çështjen e statusit të kandidatit për Kosovën”, tha Osmani.

“Kjo na sjell te konkluzioni se procesi nuk është i bazuar në merita, por ka zhvillime politike, konsiderata vetanake që shtetet anëtare nganjëherë i marrin parasysh për të shtyrë përpara, apo përkrahu rnjë shtet apo jo”.

Sipas Osmani, nëse ky proces do të ishte i bazuar në merita, ajo thotë se Kosova do të ecte shumë përpara dhe do të ishte shumë afër anëtarësimit.

“Ne kërkuam mbështetjen e Kroacisë dhe Sllovenisë, që edhe më shumë ta rrisin mbështetjen për Kosovën”, tha tutje ajo.

Presidenti kroat: Japim ndihmën tonë në rajon pa dallim!

Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviç, u shpreh në konferencë me Presidentin e Shqipërisë Bajram Begaj dhe homologen e Sllovenisë, se është shumë e rëndësishme kur flitet në këtë nivel dialogu.

Theksoi se qeveria kroate jep ndihmën e saj në rajon pa asnjë lloj dallimi.

“Jemi pjesë e këtij sistemi dhe do të mbetemi pjesë e sistemit. Duhet të mundohemi të bëjmë të gjitha lëvizjet politike. Pajtohem me çfarë thanë kolegët e mi”, deklaroi ai.

Shprehu dëshirën që forumi i ardhshëm të zhvillohet në Kroaci.

Publikohet fotografia e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Procesit të Brdo-Bijunit

Publikohet fotografia e përbashkët e liderëve të Ballkanit Perëndimor, në Samitin e Procesit të Brdo-Bijunit

Sot, në Durrës po mbahet Samiti i Procesit të Brdo-Bijuni, i cili ka mbledhur liderët e Ballkanit Perëndimor.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj që është nikoqir i këtij Samiti, ka publikuar fotografinë e përbashkët të liderëve të Ballkanit Perëndimor.

“Së bashku në Samitin e Procesit të Brdo Brijunit një platformë e rëndësishme për bashkëpunimin rajonal për të cuar përpara integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor”, ka shkruar Begaj.

Tema e samitit të sivjetshëm është “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Takimi do të përqendrohet në të ardhmen evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, posaçërisht në Planin e Rritjes së BE-së për rajonin.

Samiti i Brdo-Brijunit| Begaj: Bashkëpunimi rajonal, instrument për integrimin në BE!

Ka nisur fjalën e tij, Kreu i Shtetit Shqiptar, Bajram Begaj i cili është mikpritësi i këtij samiti.

“Fillimisht më lini të nis me pjesën e agjendës, të cilin e keni parë secili prej jush paraprakisht. Me lejen tuaj, do nis fjalimin tim me një mesazh të shkurtër, së bashku me Slloveninë dhe Kroacinë ne vlerësojmë forcimin e rolit të kësaj platforme, temat që do të diskutohen për bashpëunim rajonal, rininë, hartimin e politikave për mbajtjen e fuqisë punëtore, integrimin në BE, integrimin në BE. Për ne ashkimin Evropian”, u shpreh Presidenti Begaj.

Begaj shtoi se agresioni rus në Ukrainë, ka shkaktuar përçarje politike dhe se ka ndikuar në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

“Shqipëria synon të përfundojë me negociatat teknike deri në 2027-ën dhe më pas të bëhet anëtare me të drejta të plota në 2030-ën”, tha Begaj në fjalën e tij.

——-

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, do të marrë pjesë në Samitin e liderëve të rajonit Brdo-Brijuni që do të mbahet në Durrës, nën nikoqirin e presidentit të Shqipërisë, Bajram Begaj.

Samiti, i organizuar nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Nataša Pirc Musar dhe Zoran Milanović, zhvillohet me temën “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”.

Takimi fokusohet në perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, në kuadër të Planit të Rritjes së propozuar nga BE-ja.

Njoftimi i Presidencës:

Presidentja Osmani merr pjesë në Samitin e liderëve të rajonit Brdo- Brijuni në Durrës

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar për në Shqipëri, për të marrë pjesë në Samitin e liderëve të rajonit në Durrës, në kuadër të Iniciativës Brdo-Brijuni.

Samiti Brdo-Brijuni organizohet nga presidentët e Sllovenisë dhe Kroacisë, Nataša Pirc Musar dhe Zoran Milanović, ndërkaq do të drejtohet nga presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, si nikoqir i takimit në Durrës.

Me temë: “Interesa të përbashkëta, angazhim i përbashkët për një të ardhme të përbashkët: Së bashku drejt BE-së”, takimi i këtij viti do të fokusohet në perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe në forcimin e bashkëpunimit rajonal, me fokus në Planin e Rritjes së Rajonit të propozuar nga Bashkimi Evropian.

Iniciativa Brdo-Brijuni, synon të nxisë bashkëpunimin rajonal dhe t`i lehtësojë përpjekjet e vendeve të rajonit në rrugën e tyre drejt Bashkimit Evropian.