Në këto zgjedhje lokale, ndryshe nga ato të kaluarat, do të rikthehet në garë edhe Lista Serbe – një subjekt që për një kohë të gjatë ka bojkotuar institucionet e Kosovës, duke ndikuar drejtpërdrejt në përkeqësimin e funksionimit demokratik në komunat veriore të vendit.
Pjesëmarrja e tyre këtë herë ngre pikëpyetje serioze, jo vetëm për motivet e këtij rikthimi, por edhe për ndikimin e mundshëm të Serbisë në procesin zgjedhor dhe jetën institucionale në këto komuna.
Aktualisht, në katër komunat veriore të Kosovës – Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – pushtetin lokal e ushtrojnë kryetarë shqiptarë, të dalë nga zgjedhjet e vitit 2023, të mbajtura në rrethana të jashtëzakonshme pas dorëheqjes masive të përfaqësuesve serbë.
Megjithëse me pjesëmarrje të ulët, ato zgjedhje ishin një përpjekje për të rivendosur rendin institucional në një zonë të brishtë dhe të tensionuar.
Kjo situatë nuk është thjesht një betejë për poste lokale, është një përballje mes konceptit të shtetësisë së Kosovës dhe ndikimit të vazhdueshëm të Serbisë në këto territore.
Prandaj, zgjedhjet në komunat veriore nuk do të jenë vetëm një test i demokracisë lokale, por edhe një matje reale e fuqisë së institucioneve të Kosovës përballë strukturave që shpesh veprojnë jashtë kontrollit të tyre.
Halilaj: Procesi duhet të jetë i lirë, i drejtë dhe i mbrojtur nga çdo ndërhyrje e jashtme, veçanërisht nga Beogradi
Fillimisht, në lidhje me rikthimin e Listës Serbe në zgjedhjet lokale, foli avokati Gazmend Halilaj.

Ai konsideron se Lista Serbe me pjesëmarrjen e saj do e ndryshojë dinamikën e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës.
Krahas kësaj, Halilaj vlerësoi lart punën e kryetarëve shqiptarë në komunat veriore, derisa përmendi edhe sfidat e tyre në ushtrimin e detyrave dhe realizimin e projekteve të tyre.
“Kryetarët aktualë shqiptarë në veri kanë punuar në kushte të vështira, shpesh pa mbështetjen e duhur lokale dhe me presione të vazhdueshme politike. Megjithatë, ata kanë dëshmuar përkushtim për të garantuar funksionimin e komunave dhe ofrimin e shërbimeve për të gjithë qytetarët pa dallim etnie. Këto zgjedhje janë një mundësi që qytetarët të vlerësojnë punën konkrete dhe përkushtimin ndaj ligjit dhe rendit”, shtjelloi ai.
Ndër të tjera, avokati potencoi se, procesi duhet të jetë i lirë dhe të parandalohet çdo ndërhyrje e mundshme nga ana e Beogradit.
“Në anën tjetër, është thelbësore që pjesëmarrja e Listës Serbe të mos shndërrohet në një mjet për tensione apo për ndonjë skenar që synon ta paraqesë Kosovën si të paqëndrueshme. Procesi duhet të jetë i lirë, i drejtë dhe i mbrojtur nga çdo ndërhyrje e jashtme, veçanërisht nga Beogradi.
Qarri: Kryetarët shqiptarë në komunat veriore kanë dhënë provimin historik
Kurse, analisti politik, Gani Qarri u shpreh se Lista Serbe u kthye në garë me direktiva të Vuçiqit nga Beogradi.
Ndonëse, ai tha se kushdo që fiton garën zgjedhore, kthim prapa nuk ka, institucionet e mbyllura të Serbisë, nuk do të mund të kthehen më në Kosovë.

“Megjithëse me nismën e të ashtuquajturës “Listë Serbe”, në nëntor të vitit 2022, pjesëtarët e minoritetit serb qenë larguar nga institucionet e Kosovës, e pastaj i bojkotuan edhe zgjedhjet lokale, menjëherë pas deklarimit të Vuçiqit nga Beogradi u deklarua dhe nisi përgatitjet edhe e ashtuquajtura “listë serbe” për pjesëmarrje në zgjedhjet komunale që me 12 tetor do të zhvillohen në mbarë Republikën e Kosovës, por kushdo që të fitojë, një gjë është mese e sigurt se kthim prapa nuk ka dhe institucionet e mbyllura të Serbisë, nuk do të mund të kthehen më në shtetin e pavarur të Kosovës”, deklaro ai.
Megjithëse, ai konsideron se tani është momenti që minoriteti serb të marrë në dorë fatin e tij dhe të mos mbetet më peng i Serbisë dhe as vegël për manipulime politike.
“Duke pasur parasysh presionin e vazhdueshëm nga Beogradi dhe propagandën e shfrenuar të të ashtuquajturës “listë serbe” duke e ndërlidhur çdo gjë me propagandë kundër shtetit të pavarur të Kosovës, e cila paraprakisht takon përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë, për të marrë udhëzime dhe vetëm pastaj kujtohet për pjesëtarët e minoritetit serb, dëshmon se ” lista serbe” nuk është gjë tjetër përveçse dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë, e cila përveç betimit nën himnin e flamurin e Serbisë, nga vet nënkryetari i këtij subjekti konspirativo-agjenturor të Serbisë, Sllavko Simiq i dyshuar edhe për pjesëmarrje në aktet kriminale të grupit të kryeterroristit serb Millan Radojçiq, ai personalisht zgjedhë pikërisht veriun, të deklarojë publikisht se, pjesëtarët e partisë së tij, janë ushtar të Alksandër Vuçiqit!!!
Krejt kjo flet shumë qartësisht, për synimet ekstremiste dhe qëllimet e errëta të këtij segmenti konspirativ, i cili përveçse nuk e njeh as sot, shtetin e Kosovës, vepron si mish i egër, në trupin e tij, për dëmtimin sa më të rëndë të mundshëm në të gjitha drejtimet të vendit tonë, pa u interesuar dhe aq për hallet dhe nevojat imediate të pjesëtarëve të kësaj pakice, ngase primare për ta, është kënaqja e Vuçiqit në Serbi, ndaj ka ardhur koha që përfundimisht, minoriteti serb të mos mbetet më peng i Serbisë dhe as vegël për manipulime politike, i të ashtuquajturës “listë serbe” por të marrë në dorë fatin e tij dhe ta përfaqësojnë drejtpërsëdrejti vetveten në institucionet lokale dhe ato qendrore të Republikës së Kosovës”.
Tutje, analisti politik, problem serioz e cilëson vendimin e Kushtetueses, që mori në shqyrtim kërkesat e Listës Serbe, kur dihet që kjo e fundit nuk respekton ligjet dhe Kushtetutën e vendit tonë.
Madje, ai tha se situata mund të ndryshojë edhe më shumë, nëse Kushtetuesja merr vendim duke e përkrahur kërkesën e Listës Serbe.
“Dhe për rrjedhojë nuk mund të thuhet se gjendja në Kosovë është krejtësisht “NDRYSHE”-vetëm pse në këto zgjedhje do të marr pjesë edhe e ashtuquajtura “listë serbe” por situatën, mund ta ndryshojë tërësisht vendimi i mundshëm famëkeq, në favor të “listës serbe” i Gjykatës Kushtetuese e cila me tendencën për ta pajisur edhe me të drejtën e VETOS këtë subjekt të trisht konspirativ, do ta bëjë si grupim politik, të mbifuqishëm me të drejta speciale e mandat diktues dhe vendos të ashtuquajturën “listë serbe” mbi të gjitha partitë tjera politik në vend, veçanërisht në kontest me partitë shqiptare, duke i vendosur direkt nën Aparteidin e “listës serbe”, ani pse partitë shqiptare përfaqësojnë mbi 95% të popullsisë së tërësishme të Republikës së Kosovës”.
Në fund, Qarri shtoi se, kryetarët shqiptarë komunave veriore kanë dhënë provimin historik, në mandatin e tyre kushtetues.
“Prandaj çfarëdo që provojnë, manovrojnë e veprojnë, pjesëtarët e kësaj “partie” konspirative, tanimë dihet publikisht se ata nuk janë më vetëm dhe përveç Vuçiqit në anën e tyre e kanë edhe Gjykatën Kushtetuese, andaj për ta, nuk ka më asnjë kufizim dhe mund të sillen sipas rregullave të veta, duke dirigjuar edhe garën në komunat veriore, sipas kuteve të Serbisë dhe porosive të Aleksandër Vuçiqit, të cilët veçanërisht në këto zgjedhje lokale, kanë të gjitha liritë e mundshme, të përdorin çdo lloj skenari për të kthyer situatën edhe kundër kandidatëve shqiptarë.
Megjithatë sa u takon kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, ata në mandatin kushtetues që ushtruan në veri, kanë dhënë provimin historik, në shtrirjen praktike të shtetësisë edhe sa i takon aspektit administrativ e ligjor në veriun e vendit tonë, duke udhëhequr me plot sukses, ndershmëri e sinqeritet të plotë dhe bindur edhe vet pjesëtarët e minoritetit serb, se janë shumë më shoqëror, më të drejtë e solidar dhe tërësisht të paanshëm në veprime, sesa pararendësit e tyre, pa marrë parasysh përkatësinë etnike të qytetarëve, të cilët edhe meritojnë që kjo tu shpërblehet me votë dhe mbështetje morale e politike nga të gjithë qytetarët, ndaj edhe nëse nuk arrijnë ta fitojnë sërish mandatin për kryetar, ata gjithsesi do të jenë pjesë përbërëse edhe e administratës së ardhshme, ndërsa kontributi historik, që ata dhanë për kohë kaq të shkurtër, edhe nëse ndoshta do të jetë i papërsëritshëm, është mese e sigurt, se mandatet dhe emrat e tyre, do të mbeten të shënuar përjetësisht me germa të arta, në analet e historisë më të re të shtetit tonë dhe të vlerësuara në piedestalin e veprimtarisë konstituivo-kushtetuese për jetësimin e shtetësisë edhe në këtë pjesë jetike të Republikës së Kosovës!” – përfundoi Gani Qarri
Të tjera
Belgjika s’tregon se a do burgje në Kosovë, Qeveria Kurti thotë se s’ka nisur ndonjë ‘pazar’ me ta, e as s’ka kompetenca
Reagimet për koalicionin e Tahirit me VV, Abdixhiku paralajmëron përgjigje me kohë për “punët brenda shtëpisë”
Bie çmimi global i naftës