Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili sipas saj po sulmon Turqinë – një shtet anëtar të NATO-s që po ndihmon në mbrojtjen e paqes në rajon.
Osmani ka theksuar se ndërkohë që presidenti amerikan Donald Trump ka lavdëruar Presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan, për lidershipin e tij në promovimin e paqes dhe sigurisë globale, Vuçiq po ndjek një rrugë të kundërt duke kërcënuar Turqinë.
“Jam krenare që kam bashkëpunuar ngushtë me Presidentin Erdogan, një njeri fjale që gjithmonë ka treguar kujdes të sinqertë për popujt e rajonit tonë dhe ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për stabilitetin dhe sigurinë. Vuçiq, ndërkohë, duket se beson se mund të kërcënojë një shtet të madh të NATO-s ashtu siç kërcënon vendet fqinje,” ka shkruar Osmani në rrjetin X.
Ajo e ka akuzuar presidentin serb se në vend që të bashkëpunojë me aleatët e NATO-s, po thellon partneritetet me Rusinë, Kinën dhe Iranin.
Në fund, ajo e përfundoi reagimin e saj me një falënderim në turqisht për Presidentin Erdogan dhe popullin turk: “Faleminderit President Erdoğan dhe popullit vëlla të Turqisë; që na ndihmoni të mbrojmë paqen dhe që gjithmonë qëndroni në krah të popullit të Kosovës. Uroj që lidhja jonë e fortë të jetë e përhershme.”
Të tjera
Tani është koha e tij, hani rrush çdo ditë – Ja benefitet për trupin
Pas 9 nëntorit trajtojmë çështjet tjera, tani fokusi te fitorja
Vendimet e mëdha s’janë asnjëherë të lehta, interesi i qytetarëve mbi gjithçka