​Skema e granteve për energji të pastër, hapet aplikimi në e-Kosova

Sot është mbajtur sesioni i parë informues me bizneset rreth skemës së granteve për energji të pastër, me ç’rast u njoftua se është hapur aplikimi në e-Kosova dhe se mbështetja do të jetë në vlerë deri në 25 mijë euro.

Zef Dedaj, ushtrues detyre i drejtorit të përgjithshëm në KIESA, Gent Berisha, ushtrues detyre i udhëheqësit të Sektorit për Projekte në Fushën e NVM-ve në KIESA dhe Mirlinda Bajrami, zyrtare e lartë e të dhënave në Departamentin e Energjisë të Ministrisë së Ekonomisë, informuan bizneset mbi me skemën e granteve.

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë, u interesuan të njoftohen më shumë rreth thirrjes, të cilët shtruan pyetje të ndryshme për përfitimet që do të kenë nga granti dhe mënyrën e aplikimit.

Skema e granteve për energji të pastër zbatohet përmes tri thirrjeve të veçanta publike që përfshijnë mbështetje për sistemet e energjisë solare dhe sistemet e baterive për ruajtjen e energjisë elektrike, mbështetje për masat e efiçiencës së energjisë në ndërtesat e bizneseve dhe mbështetje për pajisjet që ulin konsumin e energjisë në linjat e prodhimit.

Skema e granteve për energji të pastër do të ofrojë deri në 20 mijë euro për një masë të vetme dhe deri në 25 mijë euro për masa të kombinuara. Përveç financimit, skema do të ofrojë edhe ngritje kapacitetesh dhe asistencë teknike për përfituesit, duke siguruar që investimet të jenë të qëndrueshme dhe afatgjata.

Projekti është financuar me një buxhet prej 1 milion eurosh nga Qeveria e Luksemburgut e zbatuar nga KIESA/MINT, në partneritet me Ministrinë e Ekonomisë dhe LuxDev, Agjencia e Luksemburgut për Bashkëpunim Zhvillimor.