Gjykata shqipton një muaj paraburgim për Fatmir Shehollin

Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar masën e paraburgimit prej një muaji për Fatmir Shehollin, të dyshuar për spiunazh kundër shtetit.

Gjatë ditës, në Themelore u mbajt seanca dëgjimore ndaj Shehollit, pasi paraprakisht Prokuroria Speciale e Kosovës kërkoi që ai të dërgohet në paraburgim derisa autoritetet të kryejnë hetime ndaj tij.

Sheholli u arrestua të enjten në rrethin e Prishtinës pas hetimeve disamujore kundër tij.

Ministri i Brendshëm në detyrë, Xhelal Sveçla, tha të enjten, pas arrestimit, se Sheholli ka pasur “hapësira të pakufizuara” në mediat e Kosovës, dhe se ai ka “bashkëpunuar me aktorë që çdo ditë punojnë e veprojnë për të minuar Republikën tonë dhe progresin e saj”.

“Mbesim të përkushtuar të mbrojmë vendin tonë nga të gjitha qarqet që nuk hezitojnë ta rrezikojnë atë për çfarëdo përfitimi të tyre. Koha e spiunëve të Serbisë në Kosovë ka përfunduar. Kushdo që punon për Serbinë e kundër Kosovës do të ndiqet pa kompromis e pandalshëm”, shkroi Sveçla në Facebook.

Policia e Kosovës kreu bastisje në vendbanimin e të dyshuarit të enjten.

Së voni, autoritetet në Kosovë kanë arrestuar, akuzuar e gjykuar serbë e shqiptarë nën dyshimet se po spiunonin për shërbimet e inteligjencës së Serbisë.

Në qershor, gjykata në Prishtinë e dënoi Aleksandar Vllajiqin me pesë vjet burgim, pasi ai u deklarua fajtor për akuzat se ishte përfshirë në spiunazh si anëtar i Agjencisë serbe të Inteligjencës dhe Sigurisë (BIA).

Ata janë deklaruar të pafajshëm për akuzat se kishin dhënë informacione tek BIA serbe për disa institucione të sigurisë në Kosovë, për UÇK-në dhe masakrën e Reçakut.

Në një rast tjetër po gjykohet edhe serbja Jellena Gjukanoviqit, e cila akuzohet për spiunazh për inteligjencën serbe. Ajo e ka mohuar fajësinë.

Në Kosovë, spiunazhi përkufizohet si aktivitetet sekret i mbledhjes, transmetimit ose shpërndarjes së informacionit të ndjeshëm në një shtet, organizatë ose grup tjetër.

Ekspertët kanë thënë se spiunazhi është kërcënim serioz për sigurinë e Kosovës dhe arrestimet e fundit vetëm sa nxjerrin në pah rrezikun e vazhdueshëm.

Sipas tyre, ky aktivitet jo vetëm që destabilizon vendin brendapërbrenda, por dëmton edhe pozitën e tij ndërkombëtare.

Ish-kryeinspektori i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AKI), Burim Ramadani, e konsideron spiunazhin si një prej kërcënimeve kryesore të sigurisë kombëtare në vend. / REL