Avokati serb: Vetëm 20 mijë vota për Listën Serbe – realiteti i numrave që Vuciq i fsheh

Avokati dhe aktivisti serb Çedomir Stojkoviq ka ngritur pikëpyetje serioze mbi mënyrën se si mediat dhe institucionet në Serbi paraqesin rezultatet zgjedhore të “Listës Serbe” në komunat me shumicë serbe në Kosovë. Sipas tij, autoritetet serbe dhe mediat pro-qeveritare theksojnë përqindjen e fitores, por fshehin numrin real të votave – për të shmangur shfaqjen e realitetit të rënies së popullsisë serbe në Kosovë.

Sipas Stojkoviqit, në Kosovë aktualisht jetojnë rreth 55 mijë serbë, prej të cilëve rreth 35 mijë në veri të vendit. Ai thekson se pretendimet e qeverisë së Serbisë për 100 mijë serbë në Kosovë nuk janë të qëndrueshme, sidomos për shkak të trendit të largimit masiv të serbëve – jo vetëm nga Kosova, por edhe nga vetë Serbia.

Nga rreth 38 mijë serbë me të drejtë vote, sipas Stojkoviqit, për “Listën Serbe” zakonisht votojnë rreth 20 mijë vetë. Ai ironizon se ky numër është sa popullsia e dy blloqeve banimi në Novi Beograd, ose pak më shumë se një komunë e vogël si Mionica në Serbi.

“Vuçiq e paraqet këtë si fitore madhështore, por në fakt, janë vetëm 20 mijë vota. Është një numër që tregon qartë se sa pak serbë kanë mbetur realisht në Kosovë,” ka thënë Stojkoviq.

Ai e cilëson këtë si një përpjekje për të ruajtur narrativën politike dhe për të mbuluar rënien drastike të pranisë serbe në Kosovë, gjë që ka pasoja të mëdha për politikën rajonale dhe për pretendimet territoriale të Serbisë.