Fushata kombëtare e vaksinimit antigripal, vijon me intensitet në të gjitha qarqet.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Evis Sala, bëri të ditur se, mbi 130 mijë doza vaksine antigripale janë aplikuar në të gjithë vendin gjatë dy javëve të para të muajit tetor.
Gjatë një vizite në qendrën shëndetësore të Shënkollit në Lezhë, Sala tha se, “vetëm në Njësinë Vendore të Kujdesit Shëndetësor (NJVKSH) Lezhë, janë aplikuar mbi 3,500 vaksina”.
Mjekja e qendrës shëndetësore të Shënkollit vuri theksin në rëndësinë e ndërgjegjësimit të qytetarëve për marrjen e vaksinës antigripale si një masë mbrojtëse ndaj sëmundjeve sezonale. Ajo theksoi se krahas vaksinimit, një fokus i veçantë po i kushtohet edhe kryerjes së kontrolleve mjekësore të herëpashershme, me qëllim zbulimin e hershëm të sëmundjeve dhe parandalimin e përkeqësimit të tyre.
“Falënderoj ekipet mjekësore dhe infermierët për përkushtimin e tyre që prej ditës së parë të nisjes së kësaj fushate. Vaksinimi është një masë kyçe për mbrojtjen e shëndetit, veçanërisht për grupet më të rrezikuara”, u shpreh ministrja Sala.
Vaksinat janë falas dhe të disponueshme në të gjitha qendrat shëndetësore në vend. Prioritet në këtë fushatë u jepet të moshuarve, personave me sëmundje kronike, shtatzënave dhe personelit shëndetësor.
Fushata synon të mbrojë popullatën nga virusi i gripit sezonal dhe të parandalojë përhapjen e tij në komunitet, veçanërisht në prag të stinës së dimrit.
Të tjera
Meshkujt që nuk mund t’i bëjnë 10 pompa janë më të rrezikuar nga sëmundjet e zemrës
Krimi dhe politika: Zbulime nga vëllai i Dajakut për strukturat e financuara nga fondi i 3% të Bukoshit
Ushqimet që asesi nuk duhet t’i lani para gatimit