Kombëtarja e Kosovës e bëri mbrëmë një hap gjigant drejt “gozhdimit” të pozitës së dytë në grup në kualifikimet e Botërorit 2026.
Dardanët e mposhtën Suedinë në udhëtim me rezultat minimal, 1:0, ndërsa paraprakisht muajin e kaluar e kishin mundur të njëjtin kundërshtar me rezultat 2:0 në “Fadil Vokrri”.
Vedat Muriqi me shokë i kanë grumbulluar 7 pikë, 3 më pak se Zvicra, e cila është lidere me 10 pikë.
Deri në fund të kualifikimeve të Botërorit kanë mbetur për t’u luajtur edhe nga dy lojë për secilën Kombëtare në muajin nëntor.
Situata momentale në grup ia lejon Kosovës që ta synojë edhe vendin e parë, që do të thoshte kualifikim direkt në Kupën e Botës, e cila do të mbahet vitin tjetër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.
Ndonëse do të jetë një mision i vështirë, ai nuk është edhe i pamundur.
Por, për ta arritur këtë, Kosovës nuk do t’i mjaftojnë dy fitore në nëntor, të cilat i ka të obligueshme.
Pra, me fitore të Dardanëve ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës dhe me kusht që Helvetikët të mos e fitojnë paraprakisht lojën me Suedinë në muajin tjetër (barazim ose humbje), e natyrisht të humbin edhe nga Kosova, trupa e Franco Fodës me këtë rast do ta shkruante historinë duke shkuar direkt në Botëror.
Në versionin tjetër, Kosova mund të shkojë në Botëror nëse i grumbullon katër pikë në ndeshjet e nëntorit, e me kusht që Granit Xhaka me shokë t’i humbin dy takimet, me Suedinë dhe me Kosovën.




Të tjera
Eksperti i kriminalistikës pas vrasjes së 18-vjeçarit në Gjakovë: Po rikthehet rreziku i dhunës politike
“Mbi 100 mijë protestues”, Rama korigjon senatorin amerikan: Më pak se 10 mijë
Trump: Irani rrëzoi helikopterin amerikan Apache, duhet t’i përgjigjemi sulmit