Guvernatori Ismaili merr pjesë në panelin e FMN-së për qëndrueshmëri financiare

Guvernatori i Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, Ahmet Ismaili, mori pjesë si panelist në sesionin e nivelit të lartë të organizuar nga FMN gjatë Takimeve Vjetore 2025 të FMN-së dhe Bankës Botërore, me temën “Forcimi i qëndrueshmërisë së sistemit financiar në kohë të pasigurive”.

Në fjalën e tij, Guvernatori prezantoi arritjet e Kosovës në forcimin e sistemit financiar përmes Rishikimit të Qëndrueshmërisë së Sektorit Financiar (FSSR), duke përmendur avancimet në mbikëqyrje të bazuar në rrezik, politikë makroprudenciale, statistika financiare dhe përfshirje financiare.

Ai theksoi gjithashtu rëndësinë e zhvillimit të kapaciteteve analitike dhe përdorimit të teknologjive si inteligjenca artificiale për adresimin e rreziqeve të reja.

Ismaili shprehu mirënjohje për mbështetjen e FMN-së dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke vlerësuar bashkëpunimin si kyç në rrugën drejt stabilitetit dhe zhvillimit të qëndrueshëm financiar në Kosovë.