Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Nait Hasani, ka reaguar ndaj deklaratave të kryetarit të partisë, Memli Krasniqi, i cili kishte thënë se Ramiz Lladrovci ka fituar zgjedhjet në Drenas me votat e Lëvizjes Vetëvendosje (VV).
Hasani ka mohuar kategorikisht këtë pretendim, duke thënë se fitorja e Lladrovcit është meritë e qytetarëve të Drenasit dhe e elektoratit tradicional të PDK-së.
“Partia Demokratike ka bërë gabimin fillimisht që nuk e kandidoi Ramiz Lladrovcin për kryetar, pavarësisht rrethanave politike. Lladrovci ka shfrytëzuar të drejtën për ta gjetur elektoratin e PDK-së dhe për ta formuar iniciativën, e cila është pjesë e strukturës së PDK-së. Prandaj, fitorja e tij tregon suksesin e jashtëzakonshëm të qytetarëve të Drenasit në mbrojtje të vlerave të tyre”, deklaroi Hasani në emisionin “Mesditë” në Tëvë1.
Në fund, Hasani u bashkua me qëndrimin e vetë Ramiz Lladrovcit, duke kërkuar dorëheqjen e Memli Krasniqit dhe drejtuesve të tjerë të PDK-së në Drenicë.
“Në politikë ka moral. Nëse Memli dhe të tjerët kanë moral, bashkë me deputetët në Drenicë që i ka mundur Ramizi, duhet të japin dorëheqje. S’kanë më fytyrë të qëndrojnë aty”, tha Hasani.



Të tjera
Këshilla kundër dhjamit në bark
Britania krijon aplikacionin që sheh përmes murit
Peshku ndihmon zemrën